Librat e shkëlqyer u ofrojnë lexuesve një përvojë unike për të zhvilluar veten, duke e përjetuar botën përmes tregimeve të njerëzve të tjerë. Ato nxisin një reflektim të thellë dhe shërbejnë si tregime paralajmëruese, të cilat mund të jenë të fuqishme nëse leksionet që nxjerrim prej tyre zbatohen me mençuri në jetën tonë. Më poshtë janë 5 libra të mrekullueshëm, që duhet të na nxisin të punojmë mbi atë që duhet të rregullohet më shumë në këtë botë:mbi veten tonë.
1-Vëllezërit Karamazov
Mësimi i jetës: Të gjithë jemi përgjegjës për të keqen që ekziston në botë.
Romani realist i Fjodor Dostojevskit, është shumë aktual brenda kontekstit historik të trazirave shoqërore të Rusisë të shekullit XIX-të. Ai tregon historinë e një babai dhe tre djemve të tij në një nga periudhat më të rëndësishme në historinë e Rusisë. Romani është pjesërisht një thriller, pasi 3 djemtë janë të përfshirë në vrasjen mizore dhe të çuditshme të babait të tyre.
Një nga mësimet kryesore të romanit është i rrënjosur tek besimin ortodoks lindor, se të gjithë janë përgjegjës për të gjithë, duke nënkuptuar se ne të gjithë kemi kontribuar në shkatërrimin e botës sonë. Në sfondin e historisë së pasur të Rusisë, Dostojevski përshkruan ulje-ngritjet e përvojës sonë të përbashkët njerëzore, duke na kujtuar se ne gjithashtu kemi fuqinë për të ndryshuar gjërat. Epilogu i romanit na sugjeron se një shkëndijë e vogël e së vërtetës tek secili prej nesh, mjafton për të rindezur dëshirën për të mirën, të vërtetën dhe të bukurën.
2- Zbulesa
Mësimi i jetës: Ndoshta problemi jeni ju vetë.
E shqetësuar thellësisht për nihilizmin mbizotërues që ajo pa, koleksioni i tregimeve të shkurtra të shkrimtares amerikane Flaneri O’Konor synonte t’i trondiste lexuesit. Personazhet e saj më të paharrueshëm janë të krishterë të respektuar, me qëllime të mira, përpjekjet në dukje të të cilëve për devotshmëri, kontrastojnë shumë me mendjemadhësinë e tyre që ekziston thellë brenda vetes së tyre.
Tek novela “Zbulesa”, një grua e respektuar, e ndërgjegjshme për përkatësinë e saj klasore, sulmohet papritur nga një vajzë adoleshente, e cila dukshëm është e neveritur nga vaniteti i saj. Në qendër të tregimit është ideja se rrahja dhe fyerja ndodhën për ta ndihmuar gruan të pranonte të vërtetën me veten, dhe të fillonte të vinte në pikëpyetje pikëpamjet e saj arrogante mbi veten dhe njerëzit përreth saj.
3- Krishti i varfër i Bombas
Mësimi i jetës: Ne jemi të verbër ndaj vuajtjeve që u shkaktojmë të tjerëve, sepse nuk mund të shohim dot përtej vuajtjet tona.
I vendosur në pyjet e Kamerunit kolonial, romani i Mongo Betit tregon historinë e një prifti katolik francez, i cili zbulon kotësinë e imponimit të besimeve, praktikave ose (në këtë rast) virtyteve ndaj të tjerëve. Prifti francez ka ngritur një shtëpi unike për trajnimin e grave të ardhshme, ku gratë angazhohen në detyra të ndryshme, duke kultivuar virtyte të forta katolike përpara se të lejohen të martohen.
Disa personazhe në libër, nxjerrin në pah dyfytyrësinë e qenieve njerëzore, ku në një rast ata e shohin veten viktima të sistemit kolonial dhe në një tjetër si viktimizues të atyre që i rrethojnë. Natyra e dyfishtë e veprimeve të tyre, tregon se ata, ndoshta si shumë prej nesh, janë të verbër ndaj vuajtjeve që u shkaktojnë të tjerëve, sepse nuk mund të shohin përtej vuajtjes së tyre. Beti na kujton se është më e lehtë nga sa mendojmë të luhatemi mes viktimës dhe kriminelit, dhe na takon të gjithëve që të hapim sytë, në mënyrë që të mos shkelim verbërisht të tjerët në kërkimin tonë për drejtësi
4- Fausti
Mësimi i jetës: Puna e përditshme për t’u bërë një njeri më i mirë nuk mbaron asnjëherë.
Fausti i Johan Volfgang Gëtes, tregon historinë e përpjekjes së një shkencëtari për të kapërcyer kufirin e njohurive njerëzore. Bazuar në një epikë mesjetare, personazhi kryesor ia shet shpirtin e tij Djallit në një përpjekje për të kapërcyer kufijtë e përvojës njerëzore.
Natyrisht, ky vendim i dyshimtë (si shumë të tjerë që përfshijnë shitjen e pjesëve të vetes te qeniet e liga) ka pasoja shkatërruese. Gjithsesi nuk është gjithçka e humbur, pasi në fund, shkencëtari përmes kërkimit të tij këmbëngulës arrin të kuptojë se i gjithë kozmosi (madje edhe i ligut) punon për të mirën. Vepra e Gëtes na mëson se është detyra jonë, madje më e rëndësishmja, dhe më e shenjta, të zbulojmë pse jemi këtu. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë pyetje të rëndësishme, të shohim nga vetja dhe të mësojmë nga të tjerët./ Big Think – Bota.al