Rreth 18.640 nxënës në të gjithë qarkun e Shkodrës, janë ulur këtë të hënë në bankat e shkollave. Të gjitha institucionet arsimore të arsimit parauniversitar kanë hapur dyert për të pritur nxënësit teksa nuk raportohen shkolla të mbyllura. 93% e mësuesve raportohen të vaksinuar.
Mbi 32 mijë nxënës të arsimit bazë dhe të mesëm kanë nisur vitin e ri shkollor në Durrës, ku edhe këtë shtator disa shkolla nuk i hapën dyert e tyre, për shkak të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit. Nga 57 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme që ka bashkia bregdetare, si pasojë e dëmeve të tërmetit, në infrastrukturën arsimore, 13 shkolla janë në proces rikonstruksioni, ose në pritje të rindërtimit.
8300 nxënës në Korçë u rikthyen në bankat e shkollës këtë fillim viti mësimor në një proces që pritet të zhvillohet sipas kushteve te diktuara nga pandemia ndërsa një pjesë e vogël e shkollave do të zhvillojnë mësimin me dy turne. Në Pogradec mësimi organizohet me 2 turne në 18 shkolla, në Korçë në 6 shkolla, në Devoll 4 dhe nga 2 shkolla në Kolonje e Maliq.