Argjentina është fituese e Kupës së Botës në Katar. Ajo ka mposhtur një Francë, e cila nuk ekzistonte deri në minutën e 80.
Deri në këtë minutë, Argjentina udhëhiqte me gjithçka dhe me rezultat 2 me 0. Më pas, erdhi një penallti e shkaktuar nga mbrojtja argjentinase, në një aksion nga të paktët e francezëve.
Dhe gjithcka ndryshoi.
Argjentina e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme këtë finale, duke ushtruar presion që në fillim të sfidës. Ata ishin të rrezikshëm duke kërcënuar disa herë portën e Loris, por pa shënuar deri në minutën 21.
Në këtë minutë Di Maria fiton një penallti të shkaktuar nga Dembele dhe Leo Messi nuk gabon nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 23-të.
Argjentina nuk e la me kaq, pasi një aksion (ndoshta më i bukuri i këtij Botërori) i ndërtuar mjeshtërisht nga Messi përfundon në këmbët e Mac Allister, ku ky i fundit lë një top të bukur për Di Maria i cili në minutën e 36-të dërgon topin në rrjetë duke dyfishuar shifrat.
Vijuan rastet në fillim të pjesës së dytë nga ana e Argjentinës, Franca dukej e dorëzuar deri në minutën e 80-të, kur ata fitojnë një penallti dhe Mbappe shënon golin e rezultatit 2-1.
Pa mbaruar festa e golit të parë, Mbappe shënon një gol fantastik në minutën e 81-të duke barazuar shifrat. Dy gola në dy minuta.
Argjentina luajti 80 minuta, Franca vetëm dy, por futbolli ky është. Koha e rregullt është mbyllur me rezultatin 2-2.
Pjesa e parë e shtesave dominohet sërish nga Argjentina. Lautaro Martinez humbi dy raste të mira përballë Loris.
Pjesa e dytë e shtesave nisi sërish në favor të Argjentinës. Lautaro godet fortë topin drejt Loris, pritja e portierit francez kthehet te Messi dhe ylli argjentinas dërgon rezultatin në 3-2.
Në minutat e fundit të kohës së shtesave, Franca merr sërish një tjetër penallti dhe Mbappe shënon.
Shtesat mbyllen me rezultatin 3-3.
Në goditjen e penalltive, Argjentina ka mundur të fitojë dhe Messi ngre në qiell Kupën e Botës.
118′ 3 – 3 Kylian Mbappé
108′ 3 – 2 Lionel Messi
81′ 2 – 2 Kylian Mbappé Assist: M. Thuram
80′ 2 – 1 Kylian Mbappé
36′ 2 – 0 Ángel Di María Assist: A. Mac Allister
23′ 1 – 0 Lionel Messi
o.p. / dita