Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta nga Konventa Kombëtare, nuk nguroi që të hedhë akuza kundrejtë kryeministrit Rama, ku tha se kriza energjetike është krizë korrupsioni dhe administrimi mafioz nga Rilindja e sistemit të energjisë elektrike.
“Jetojmë në kohë krize të shumëfishtë ekonomike, sociale, energjetike, ushqimore dhe inflacioniste që po varfëron shqiptarët çdo ditë e më shumë…
Qytetarët tashmë e kanë kuptuar që kjo qeveri është vetë problemi dhe jo zgjidhja e kësaj krize.
Kujtojmë, se gjatë pandemisë dhjetëra mijëra qytetarë humbën vendin e punës dhe mijëra biznese falimentuan.
Ndërsa qeveritë e tjera mbështetën ekonomitë, qytetarët dhe bizneset e tyre me gati 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Rilindja u mjaftua vetëm me paketat e lëmoshës që në total nuk arritën as 1% e PBB-së.
Kriza energjetike është krizë korrupsioni dhe administrimi mafioz nga Rilindja e sistemit të energjisë elektrike”, tha Meta.