Meta dekoron analistin e shquar politik, Auron Dodi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vlerësuar këtë të enjte analistin politik, gazetarin, gjuhëtarin dhe përkthyesin e shquar zotin Auron Dodi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, Meta shkruan “Në vlerësim të ndihmesës së jashtëzakonshme të dhënë për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, për forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes popujve tanë, si dhe me mirënjohje për kontributin e gjatë dhe profesionalizimin e jashtëzakonshëm të dëshmuar në mediat ndërkombëtare, ku ka spikatur për thellësinë dhe saktësinë e analizave të tij, çmova sot përkthyesin dhe gjuhëtarin e shquar, analistin politik dhe gazetarin e mirënjohur, Auron Dodi me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Themelues i Programit Shqip të medias prestigjioze gjermane “Deutsche Ëelle”, përkthyes zyrtar i të gjithë Kancelarëve dhe Presidentëve federalë të Gjermanisë prej çerek shekulli, i pandarë në tryezat shtetërore politike, në negociatat e nivelit më të lartë për marrëdhëniet politike, të drejtësisë,  ekonomike, në bashkëpunimin e sigurisë dhe atë mbrojtjes midis dy vendeve tona, puna e Auron Dodit, na mbush me krenari, pasi dëshmon besim dhe vlerësim të rrallë për integritetin e një qytetari tonë.

Urime, shumë sukesese dhe arritje të tjera në karrierën e tij!”

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *