Presidenti i ri i Republikës Barjam Begaj nuk do të japë më shumë se sa 23 dekorata në vit pa miratimin e një organi të ri kompetent, që do të jetë Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve.
Kështu parashikon projekti për ligjin e ri për dekoratat në Shqipëri. Nisma ligjore është hartuar nga qeveria. Presidenti në detyrë Ilir Meta, gjatë mandatit 5-vjeçar ka dhënë rreth 700 dekorata, mbi dyfishin e pasardhësve të tij. Sipas qeverisë, Presidenti nuk mund të dekorojë më pa një propozim paraprak dhe numri maksimal i dekoratave të të gjitha llojeve që mund të jepen brenda një viti nga të gjitha autoritetet do jetë rreth 230.
Presidenti mund të japë deri në 23 dekorata në vit. Dekoratat që do të japë presidenti mbi këtë numër, kushtëzohen me dhënien e miratimit nga Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, e cila do jetë në varësi të Kryeministrit. Në ligjin e ri janë parashikuar edhe kushtet kur një personazhi të dekoruar mund t’i hiqet dekorata. Dekorata parashikohet të hiqet në dy rrethana; kur mbajtësi i dekoratës dënohet me vendim gjykate të formës së prerë dhe kur shpallet person i padëshiruar në Shqipëri, pra për shtetasit e huaj.
Llojet e dekoratave:
1. Urdhri Suprem i Shqiponjës;
2. Urdhri i Skënderbeut;
3. Urdhri i Lisit Akademik;
4. Medalja e Meritës Ushtarake;
5. Medalja e Meritës Civile;
6. Medalja Nënë Tereza;
7. Medalja Pishtar i Demokracisë;
8. Medalja e Mirënjohjes Publike;
9. Medaljet përkujtimore ushtarake dhe civile;
10. Medalja e Shërbimit Ushtarak.
11. Medalja e Shërbimit të Rendit Publik/gazetadita