Akuzave të njëpasnjëshme të kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta nuk e ka lënë pa një përgjigje. Nga Fieri, kreu i shtetit ka zbuluar se mbrëmjen e djeshme ka ftuar drejtuesin politik të qarkut të Vlorës Damian Gjiknuri për një darkë, por ai ka refuzuar. Sipas Metës, ky refuzim ka ardhur pasi është detyruar nga kryeministri Edi Rama. Ndalur te deklarata e këtij të fundit mëngjesin e sotëm i cili tha se “Meta është kandidat i LSI-së në Vlorë”, presidenti iu përgjigj shumë shkurt.
“Unë dje kam pasur një darkë me të gjithë gazetarët e Vlorës. Kisha ftuar edhe Gjiknurin dhe Leskajn. Madje z. Gjiknuri e ftova përmes një telefonate në prani të dy kolegëve tuaj gazetarë. Ai nuk ka pranuar të vijë. Detyrohet nga Rama të shpifë. Të jetë i qetë edhe Kryeministri edhe ‘tërmeti’, deri më 26 prill do të jem në Vlorë. Janë të ftuar të vijnë të rrijnë me mua. Të mësojnë poezinë e Ali Asllanit dhe të kuptojnë që me Vlorën nuk bëhet shaka, ‘Vlora ia bën fora'”, tha Meta.
Meta ka shkuar edhe më tej duke sulmuar kryeministrin Edi Rama.
E para sepse Ilir Meta do të bëjë gjithçka që të ketë zgjedhje të lira dhe e dyta është se ai gjithnjë ka bërë gjithçka për manipulimin e votës. Kjo është një betejë finale por jo një betejë mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Ai nuk e di që dekrete vetëm Presidenti nxjerr. Kur sulmohet rendi kushtetuese i gjithë populli bëhet ushtar, dhe Presidenti është ushtari i parë dhe merr gjithë përgjegjësitë para të gjithë popullit ushtar. Ta ketë të qartë se ai është mësuar të korruptojë burra që turpërojnë edhe fjalën prostitutë. Por duhet ta dinë që më 25 prill do ta marrin përgjigjen nga vajzat dhe nënat e gjithë Shqipërisë që nuk duan të jetojnë në shtëpitë e zbrazura nga të rinjtë që kanë ikur. Fajin e ka Edi Rama që i shërben mafias ndërkombëtare”, tha ndër të tjera nga Fieri Presidenti i Republikës Ilir Meta.