Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Mesila Doda ka reaguar në lidhje me dosjen e Autoritetit për Informim, ku sot u zbulua se politikani me iniciale I.M që ka qenë bashkëpunëtori i ish-Sigurimit të Shtetit rezulton të jetë presidenti Ilir Meta.
Përmes një deklarate për mediat, Doda tha se nevojitet një ligj për të larguar të gjithë personat me të kaluar të errët.
Sakaq shtoi se ka kërkuar pastërtinë e figurës për 140 deputetë.
“Pas 32 vitesh kemi mes nesh njerëz që kanë të kaluar të errët, kjo do të thotë se është dështim i politikës shqiptare që nuk kemi ndërruar brezat dhe të sjellim njerëz të pashantazhueshëm. Besoj se është koha që në sesionin e ri parlamentar të nisë një punë e re serioze jo vetëm me propozimet e Autoritetit por me heqjen e të gjithë personave me të kaluar të errët. Duhen bërë publik emrat, nuk vijojmë dot që të marrim me mend se kush janë. Duhet të dalin me emra. I kërkova kryetares së Kuvendit që të kërkojë pastërtinë e figurës për 140 deputetët”, tha Doda.