Presidenti Meta, edhe pas konferencës së jashtëzakonshme nuk është ndalur me ultimatumin për numërimin e votave deri në fund të procesit. Teksa ka shpërndarë një foto nga dita zgjedhjeve të 25 prillit, ku shprehu vullnetin, Meta risjell edhe një herë në fokus se procesi zgjedhor vazhdon.
Kreu i Shtetit kërkon që të vemendja të përqëndrohet në evidentimin dhe hetimin e çdo parregullsie, që ka cënuar procesin dhe deformuar vullnetin e qytetarëve. Meta sqaron më tej se numri i lartë i më shumë se 5% të votave të pavlefshme, kërkon një hetim urgjent dhe serioz.
Kujtojmë këtu se një mesazh ka ardhur sot në telefonat e deputetëve socialistë, të cilët njoftohen se PS ka nisur procedurat për shkarkimin e Metës. Tashmë ka hapa konkretë nga ana e mazhorancës, për të larguar Ilir Metën. Por presidenti Meta, në kundërpërgjigje thotë se ‘shashkat e provokatorëve’ kanë vetëm një qëllim, shpërqëndrimin nga ajo që ka ndodhur në kutitë e votimit dhe gjatë numërimit.
Statusi
Falenderoj të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët morrën pjesë masivisht në zgjedhjet e 25 prillit. Referuar të dhënave zyrtare të institucioneve shtetërore, përllogaritet që nga rreth 2.242.147 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar 1.661.885 qytetarë. Duke patur parasysh pamundësimin e ushtrimit të së drejtës së votës edhe përmes akteve të njëanshme normative, pjesëmarrja rekord më 25 prill e mbi 74% të qytetarëve rezidentë në Shqipëri me të drejtë vote, është shprehje e qartë e përgjegjësisë së lartë qytetare për fatet e vendit. Ndërkohë që procesi zgjedhor vazhdon, e gjithë vëmendja duhet të jetë e përqendruar në evidentimin dhe hetimin e çdo parregullsie, që ka cenuar procesin dhe deformuar vullnetin e shprehur të qytetarëve. Numri rekord i më shumë se 5% të votave të pavlefshme, nga të cilat shumica absolute qartësisht nuk ka qenë e shprehje e vullnetshme e pavlefshmërisë, kërkon një hetim urgjent dhe serioz. Asnjë zhvendosje fokusi, deri në fund të procesit! I vetmi hetim i vlefshëm tani është hetimi i votave të pavlefshme! Shashkat e provokatorëve kanë vetëm një qëllim, shpërqëndrimin nga ajo që ka ndodhur në kutitë e votimit dhe gjatë numërimit. Më i vlefshëm se kurrë, hetimi i votave të pavlefshme, me qetësi dhe transparencë maksimale! Çdo votë të numërohet dhe rinumërohet deri në fund sipas Kodit Zgjedhor!