Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend aktin normativ për ndryshimin e Buxhetit të Shtetit 2021. Bashkë me dekretin e kthimit, Meta ka reshtuar edhe arsyet se përse sipas tij, ndryshimet janë në shkelje të Gjykatës Kushtetuese, duke evidentuar Teatrin Kombëtar.
Në buxhetin e ndryshuar, qeveria ka alokuar një fond shtesë prej 900 mln lekë për Bashkinë Tiranë, në mënyrë që të ndërtojnë godinën e re të Teatrit, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese është shprehur për këtë çështje.
“Fondi 900 mln lekë për Teatrin e ri, akordohet për një projekt dhe pronë që nuk duhet të ishte dhe që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk është më në kompetencën apo në pronësinë e Bashkisë Tiranë. Fondet për godinën e re të Teatrit Kombëtar, paligjshmëria dhe antikushtetuetshmëria as mund të mendohet se mund të ndodhë në një shoqëri demokratike ku sundon ligji dhe shteti i së drejtës. Prioriteti i parë dhe themeltar për vitin 2021 duhet të ishte përballimi i pasojave të COVID-19, por Qeveria në 22 qershor 2021 në mënyrë antikushtuese vendos të akordojë fond për Bashkinë Tiranë për ndërtimin e Teatrit dhe për blerje dronësh!,”-shkruhet ndër të tjera në arsyetimin e kreut të shtetit.
D E K R E T PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 87/2021 “PËR MIRATIMIN E AKTIT NORMATIV, ME FUQINË E LIGJIT, NR. 26, DATË 22.6.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 137/2020 “PËR BUXHETIN E VITIT 2021”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës,
D e k r e t o j:
Kthimin në Kuvend të ligjit nr. 87/2021 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 26, datë 22.6.2021, të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar”, për rishqyrtim sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.
Nr. Dekretit 13186
Tiranë, më 28.07.2021
PRESIDENTI I REPUBLIKËS, ILIR META
/Priza.al/