Presidenti Ilir Meta ka denoncuar skandalin e vjedhjes së të dhënave. Persona me rekorde kriminale në Korçë, janë pajisur me kartë ID. Ky shqetësim është ngritur sot nga kreu i shtetit, Ilir Meta, duke kërkuar nisjen e hetimeve për këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Në një deklaratë për shtyp, presidenti Meta tha se vjedhja e votave reflektohet tek zgjedhjet, ndërsa paralajmëroi se kush përdor identitet të rremë do të përballet me ligjin. Tejet i shqetësuar për këtë situatë, ai deklaroi se krimi zgjedhor ka bashkëpunëtor nivelet më të larta.
Sipas tij, persona me rekorde kriminale në zonat me pakica kombetarë në Korçë, kanë marrë dokumente identifikimi, të personave të pastër nga ana ligjore.
“Sot i jam drejtuar organeve të drejtësisë dhe institucioneve përgjegjëse, për të hetuar për një skandal të radhës që ka marrë përmasa ndërkombëtare duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Nga të dhënat e siguruara rezulton se në qarkuan e Korçës, në disa zona që janë të banuara nga pakica kombëtare, shtetas me rekorde kriminale janë pajisur me dokumente identifikimi jo me të dhënat e tyre, por duke përdorur të dhëna me persona që nuk kanë probleme me ligjin”, tha ndër të tjera Meta.