Komentet Meta i bëri gjatë një takimi me qytetarë në Korçë, ku tha se qeveria shqiptare ndërton rrugë me kosto 5 herë më të madhe se në Malin e Zi dhe 3-4 herë më të lartë se në Greqi, pasi sipas tij, fondet vidhen.
Ai shtoi se familja në Shqipëri është më e rrezikuara, pasi sipas tij, qeveria godet familjen që të godasë atdheun.
“Kjo ndodh për shkak të korrupsionit. Këtu një kilometër rrugë kushton 5 herë më shumë se në Malin e Zi dhe 3-4 herë më shumë se në Greqinë fqinje. Këtu qeveria përfitoi 500 milionë euro vetëm nga rritja e çmimeve dhe mbi 90 % të tyre ua dha klientëve të saj gjoja për investime publike.
Më e kërcënuara është familja, sepse që të goditet atdheu, duhet të goditet njëherë familja. Familja jonë po bëhet gjithmonë e më pak vitale, po përjeton vetminë gjithmonë e më shumë. Mosha mesatare e Shqipërisë rritet me 2-fishin e asaj të BE-së. Në janar të vitit 2022 personat mbi 65 vjeç përbënin 16 % të popullsisë. A është normale që sipas statistikave të Britanisë së madhe, në 10 vendet kryesore për emigrim të paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shqipëria është e para.
Është e tmerrshme që sipas ISTAT-it tonë që është nën kontrollin e qeverisë, 1/3 e të rinjve nuk janë as në punë e as në shkollë. Edhe puna nuk është aq e lehtë sepse pagat janë të tilla që ata mendojnë largimin nga vendi. Për mungesën e fuqisë punëtore, nuk mund ta shpjegoj as unë askush tjetër. Më tha dikush duhet të vrapojmë e duhet të ndryshojmë. Mirë lokalet e dasmave që nuk kanë më punë se s’ka njeri, por po nuk vrapuam tha do të mbyllen edhe furrat e bukës.
Është e nevojshme të mbështetet pushteti vendor, me kthimin e shkollave në ambiente komunitare, që edhe nënat e baballarët të punojnë të qetë. Problem është edhe grupmosha e tretë. Kjo grupmoshë ka nevojë për një asistencë të vazhdueshme. Këtu roli i bashkive është i rëndësishëm në mbështetjen e moshës së tretë. Një tjetër kategori që kanë nevojë për një vëmendje të veçantë janë personat me aftësi të kufizuara. Po flasim për disa probleme të rënda sociale, por po flasim në një vend që nuk ekziston ministria e Çështjeve Sociale. Bota ka ministry për familjen dhe fëmijët. Për strehimin. Për probleme shumë të rëndësishme”, u shpreh Meta.