Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka publikuar një video të një banori të Sukthit të ri i cili ndodhet në urgjencë.
Krahas videos, Meta shkruan se banori është ndaluar sot në shkelje të ligjit vetëm pse i kërkoi Kryeministrit të mos bënte propagandë me zonat e përmbytura.
Më tej, ai thekson se dënon me ashpërsi sjelljen banditeske të Policisë së Shtetit dhe i kërkon prokurorisë nisjen e hetimeve për rastin. Meta tha se modeli shtypës qeverisë Rama do të marrë shumë shpejt përgjigje nga qytetarët e lirë.
“Dënoj me ashpërsi sjelljen banditeske të punonjësve të Policisë së Shtetit ndaj qytetarit Mithat Hazbiu nga Sukthi i ri, i cili është ndaluar sot në shkelje të ligjit vetëm pse i kërkoi Kryeministrit të mos bënte propagandë me zonat e përmbytura.
Duke i uruar Z.Hazbiu shërim të shpejtë, për shkak se ndodhet i shtruar në urgjencë, i bëj thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet. Modeli shtypës qeverisës i Edi Ramës do të marrë shumë shpejt përgjigje nga qytetarët e lirë. Koha për Llogaridhënie po afron”, shkruan Meta.