Kreu i Partisë së Lirisë dhe ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka deklaruar se aksionin opozitar të shtatorit do ta zhvillojë në bashkërendim të plotë me kreun e Partisë Demokatike, Sali Berisha.
Pavarësisht faktit se në shtator do të pritet më shumë një intensifikim i veprimit politik, ish-kreu i shtetit deklaroi se veprimi opozitar do të jetë i vazhdueshëm, edhe përgjatë gushtit.
Meta akuzoi Ramën si kryeministrin më të korruptuar.
“Mendoj që z.Rama e ka mbyllur prej kohësh kapitullin e tij si kryeministër. I janë dhënë mundësi të jashtëzakonshme. Është më i dështuari në historinë e Shqipërisë. Është kryeministri më i korruptuar në të gjitha raportet ndërkombëtare, në të gjitha krahasimet që bëhen. Është penguesi dhe vonuesi kryesor i procesit të integrimit evropian të Shqipërisë për shkak të përpjekjes së tij për të kapur drejtësinë, për shkak të përkrahjes që i dha kanabizimit të Shqipërisë, forcimit të grupeve kriminale, paprekshmërisë së tyre, dëmeve të jashtëzakonshme që i bëri pluralizmit politik dhe sistemit të llogaridhënies në vend. Ku ka qenë ndonjëherë Shqipëria në këtë situatë që të mos ketë një këshilltar opozita në asnjë bashki të vendit?! Ku e dinë qytetarët sot në çdo bashki se si menaxhohen fondet, taksat dhe si menaxhohen shërbimet e tyre. Këtu e katandisi Rama Shqipërinë dhe Shqipëria po zgjohet për t’u ndarë njëherë e mirë nga regjimi i tij”, tha Meta.