Kreu i PL, Ilir Meta nga prezantimi i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Delvinë, Ilir Mehmeti tha se ‘Rilindja’ ka çuar vendin në shpopullim dhe nuk po mbështet të rinjtë. Meta tha se kandidatët e koalicionit janë zgjedhur nga vetë qytetarët të cilët pas 14 majit do të sjellin ndryshim, pasi opozita dëshiron më të mirën për pushtetin vendor.
Sakaq shton se qeveria e Edi Ramës nuk dëshiron që t’i shërbejë qytetarëve por vetëm kryebashkiakë që firmosin ‘fët e fët’ dhe kallëzohen në prokurori duke mos mbyllur as mandatin.
“Dy janë shtyllat e shpopullimit, programi që zbaton sekti i rilindjes. Braktisja e bujqësisë dhe zhdukja e gjithë institucioneve dhe mos mbështetja e të rinjve. Besoj se Delvina është prekur si shumë bashki të tjera, në mënyrë që nga këto treva patriotike që kanë mbajtur peshë historike, kjo kërkon një ndëshkim të menjëhershëm më 14 maj në mënyrë që jo vetëm të ndëshkojmë braktisjen dhe harresën por të rikthejmë shpresën. Të zgjedhim njerëz të aftë për t’i venë në lëvizje dhe të sjellin mirëqenie, ne kemi zbatuar vullnetin e qytetarëve për të zgjedhur kandidatët sepse është e rëndësishme të kemi në konsideratë se pushteti vendor është i përditshëm, dhe vetëm njerëz me vizion mund të qeverisin si duhet.
Kudo në qarkun e Vlorës, kandidatët tanë janë superiorë, nga Selenica deri në Konispol pasi dallimi është të qëllimi, ne kemi dashur të zgjedhim më të mirët dhe t’i drejtohemi popullit. Pala tjetër është që dhe një hu të vëmë, këta të votojnë. Edi Rama para 4 vitesh kur ishte i vendosur t’i emëronte kandidatët, e dini çfarë vendosën. 1 e treta nuk e mbyllën dot mandatin se kishin ose 3 emra, ose shkuan në prokurori për korrupsion apo akuza të tjera. Ata duan vetëm kryebashkiakë që firmosin fët e fët. Të gjithë të votojnë që Delvina të hyjë në rrugën e ndryshimit, t’i rikthehet shkëlqimi pasi ka traditë dhe histori, duhet t’i japim besimin dhe ju duke zgjedhur Ilir Mehmetin i jepni mundësi që të vendosë djem dhe vajza të kualifikuar, ne do t’i japim mbështetjen e merituar Delvinës”, tha ai.