Në një studim të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar për rajonin e Ballkanit, thuhet se fondet e siguruara kryesisht nga tregtia ndërkombëtare e drogës, pastrohen në sektorin e ndërtimit dhe turizmit në Shqipëri.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar kreu i shtetit, Ilir Meta, teksa thotë se Shqipëria nuk meriton të jetë lavatriçe e pastrimit të parave të organizatave kriminale vendase, rajonale dhe ndërkombëtare.
Tejet i shqetësuar, presidenti pohon se fenomeni kriminal i pastrimit të parave, është kthyer në sistem, dhe që kryesisht të ardhurat nga trafiku dhe tregtia e drogës po pastrohen me lehtësi në sektorin e ndërtimit dhe turizmit.
Statusi
Është bërë e qartë nga të gjitha institucionet dhe organizatat prestigjioze ndërkombëtare, që fenomeni kriminal i pastrimit të parave është kthyer në sistem dhe që kryesisht të ardhurat nga trafiku dhe tregtia e drogës po pastrohen me lehtësi në sektorin e ndërtimit dhe të turizmit.
Një studim i publikuar nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar bën me dije se midis viteve 2017 dhe 2020, Tirana ka përjetuar një bum ndërtimesh dhe rritje të madhe të çmimeve të pronave dhe të apartamenteve, më të shtrenjtat në rajon, që “nuk mund të shpjegohet me kërkesën më të lartë nga ekonomia reale ose me rritjen e nivelit zyrtar të të ardhurave, por përkundrazi drejtohen kryesisht nga paraja e krimit të organizuar dhe korrupsioni, që është investuar në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme”.
Raporti sqaron se “çmimi i një metër katror në një apartament banimi mesatar në Tiranë ishte rreth 861 euro në vitin 2017, por në vitin 2020, vetëm tre vite me vonë, çmimet pothuajse u dyfishuan duke arritur nivelin e 1400 – 2000 euro/m2.
Në Vlorë, grupet kriminale pretendohet se kanë investuar në sektorin e turizmit, duke përfshirë hotele luksoze në bregdet. Çmimet janë rritur nga 600 në 700 euro/m2 në vitin 2017 në bregun e detit, në 1000 – 1200 euro/m2 në fillim të vitit 2021”.
Shqipëria nuk meriton të jetë lavatriçe e pastrimit të parave të organizatave kriminale vendase, rajonale dhe ndërkombëtare, sikundër SPAK, Prokuroria dhe të gjithë institucionet ligjzbatuese nuk duhet të mbyllin sytë përballë çdo veprimtarie antiligjore.