Nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur reagimi i parë nga presidenti Meta, sa i takon incidentit të ndodhur në Fier, mes kandidatëve të LSI-së dhe punonjësve të Policisë Bashkiake për heqjen e një baneri. Kreu i Shtetit ka ‘shmangur’ shitblerjen e votës në Vlorë, ku u raportua edhe nga policia, por është ndalur tek përplasja në Fier.
Ai i bën thirrje kandidatëve të LSI-së që të mos bien pre e provokimeve të Policisë Bashkiake, dhe ta tejkalojnë me urtësi këtë moment.
Presidenti Meta ka reaguar me tone kërcënuese pas denoncimit të kandidates së LSI-së, Kejdi Mehmetaj, se policia në Fier po heq banerat e kësaj partie, pasi pritet të shkojë kryeministri Edi Rama për takimin e fundit elektoral.
Statusi
“U bëj thirrje kandidatëve të LSI në Fier të mos bien pre e provokimeve të Policisë Bashkiake për çështjen e banderolave dhe ta tejkalojnë me urtësi këtë moment. Ndërsa po u prek një votë ditën e votimeve t’i mprehin cfurqet, se si gratë trime të Libofshës do t’i ndjekim këmba këmbës horrat, nëse nuk kanë kuptuar gjë akoma”.
Paraditen e sotme u njoftua se Policia e Vlorës ka nisur procedim penal ndaj dy personave në Vlorë, pasi akuzohen për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.