Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, presidenti Meta është pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një postimi në rrjete sociale Meta shprehet se me Kurtin kanë rëndë dakord që për rajonin e Ballkanit duhet nisma gjithëpërfshirëse siç është procesi i Berlinit.
Meta thekson se është jetik realizimi i projekteve të përbashkëta që afrojnë edhe më shumë qytetarët si ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë.
Postimi i plotë:
Shumë e përzemërt pritja nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të cilin pata kënaqësinë të zhvilloja një bisedë tepër të frytshme. Duke vlerësuar marrëdhëniet vëllazërore mes vendeve tona dhe potencialin e jashtëzakonshëm për forcimin e tyre, theksova rëndësinë e konkretizimit efikas të marrëveshjeve ndërqeveritare të nënshkruara.
Jetik realizimi i projekteve të përbashkëta që afrojnë edhe më shumë qytetarët tanë, si ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë, me impakt në ekonominë e të dy vendeve dhe të rajonit, që do na bashkojnë më shumë dhe do ndalnin hemoragjinë demografike që na ka prekur. Nevojitet më shumë koordinim edhe në politikën e jashtme dhe rajonale, në përputhje me qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Lidhur me bashkëpunimin rajonal, ndamë të njëjtin vlerësim në përkrahje vetëm të nismave gjithëpërfshirëse, sikurse Procesi i Berlinit. Kosova është bërë shembull i demokracisë, luftës kundër krimit e korrupsionit, sundimit të ligjit dhe evropianizimit në rajon, e vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare, që meriton sa më parë liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.