Mielli drejt çmimit të mallit/ Në bursë bie çmimi, Shqipëria “kokëfortë”

Pasi nga Ukraina u lejua që të dalë ngarkesa e parë me grurë, çmimi i këtij produkti në bursa ra ndjeshëm. Ulja e çmimit të këtij malli u pa si një shenjë mirë pasi është një nga produktet më të rëndësishëm për konsumatorët. Aktualisht, një ton grurë në bursa ka vlerën e 728 dollarëve, ose ndryshe një kilogramë grurë kushton 82 lekë të reja, pa koston e transportit. Sipas specialistëve, çmimi do të vazhdojë të jetë në pikiatë edhe për disa kohë. Ndërkohë rënia e çmimit nuk reflektohet brenda vendit tonë. E kundërta ndodh nëse rritet vlera në bursa, pasi kemi një rritje të menjëhershme në kosto. Duke qenë se kostoja e grurit u rrit si pasojë e luftës në Ukrainë, një gjë e tillë u reflektua edhe në xhepat e qytetarëve. Brenda kësaj kohe çmimi i bukës është rritur dy herë, nga 70 lekë në 80 lekë dhe tre muajt e fundit në 90 lekë.

Po a ka ndikim ulja e çmimit të grurit në bursa, në lidhje me vendin tonë?

Priza.al kontaktoi me një nga kompanitë tregtare që merren me importin e grurit në vendin tonë. Kompania në fjalë e blenë grurin nga Serbia, pasi ka më shumë përfitim sesa në vendet e lindjes.  Duke qenë se jemi në sezonin e korries së grurit, kjo kompani ua blen këtë produkt një firme tjetër, e cila ua blen fermerëve në ara me koston e 55 lekëve për kilogram, dhe ia shet asaj shqiptare me vlerë 60-70 lekë për kilogramë.

Krahasuar me një vit në parë, kompania shqiptare ia bleu grurin firmës serbe me çmimin që  varionte nga 37 deri në 40 lekë, pra diku tek 60% më lirë se këtë vit. Por në krahasim me vitin e kaluar, kostot e transportit thuajse është dyfishuar, e cila ndikon në rritjen e çmimit.

Aktualisht kompania që importon me shumicë grurin në vendin tonë, ua shet bizneseve apo nënkontraktoreve të saj me një çmimin që varion nga 80 deri 82 lekë për kilogramë, pra aktualisht e barasvlershme me çmimin që ka në bursa, por duke llogaritur edhe koston e transportit, çmimi i grurit do të shkonte deri në 85 deri në 90 lekë për kilogram.

Nga krahasimi i shifrave, konstatohet se ulja e çmimit të grurit në bursa, nuk ndikon në uljen e çmimit të produktit në vendin tonë.

Çmimi i grurit në tregun botëror tashmë kushton më pak se kur nisi lufta në Ukrainë në 24 shkurt. Ky është efekti marrëveshjes që lejoi daljen e grurit ukrainas nga porti i Odesës. Gjatë orëve të fundit nga ky port në Ukrainë janë nisur plot me drithëra./A.D.

* Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Priza.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Priza.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016*

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *