Fiskalizimi nis fazën e dytë më 1 korrik për transaksionet pa para në dorë ndërmjet bizneseve, për t’u shtrirë më pas nga 1 shtatori edhe te fasha e fundit biznes-konsumator për transaksionet me para në dorë.
Teksa kanë mbetur pak muaj nga zbatimi i plotë i procesit, bizneset e vogla të prekura edhe nga pandemia, ngrenë sërish shqetësimin për kostot e larta që sipas tyre shoqërojnë fiskalizimin.
“Ekonomisti na ka njoftuar, gjithashtu e kemi marrë vesh nëpërmjet lajmeve. Por është një procedurë për ne në pikëpyetje. Këto ditë do bëjmë procedurat për të parë nëse kasa përshtatet për fiskalizimin dhe nëse jo i bie të marrim një të re. Një kompjuter nuk e kemi aktualisht se nuk na është dashur, dhe internet kështu që janë kosto shtesë dhe me këtë situatë do na pengojë më shumë. Mami im më thotë ok, do e mbyll fare biznesin. Një periudhë 20 vjeçare në shitje dhe të vijmë në këtë pikë”, tha sipërmarrësja Denisa Dybeli.
Veç kostove, bizneset vlerësojnë si problematike edhe përdorimin e teknologjisë për zbatimin e sistemit të ri fiskal.
“Unë jam vajzë e re, por problemi qëndron te prindërit e mi që nuk dinë mbase ta përdorin dhe i bie që unë të rri peng në dyqan. Për të marrë një punonjëse nuk bëhet fjalë sidomos tani pasi pandemia ka bërë punën e vet” shtoi ajo.
Me gjithë fushatat informuese mbi fiskalizimin, ka edhe biznese që nuk janë ende në dijeni mbi këtë proces që do të transformojmë tërësisht mënyrën e faturimit.
“Nuk e kam fare idenë se çfarë është. As ekonomisti nuk më ka thënë gjë dhe nuk e kam idenë. Nëse shteti na jep kompjuterin mund ta bëjmë. Biznesi është prekur nga pandemia normalisht, edhe njerëzit s’kanë mundësi”, tha sipërmarrësi Gertian Alimehmeti.
Fiskalizimi u lançua që prej vitit 2019 por implementimi i shty disa herë për shkak se bizneset nuk ishin gati dhe ndikimit të pandemisë, për të nisur zbatimin janarin e këtij viti për rreth 7600 subjekte që kanë marrëdhënie me shtetit./topchannel