Minatori nuk e dinte që po garonte për deputet? ‘Nisma Thurje’ plas ‘bombën’: E kanë kërcënuar!

Një ditë më parë, ‘Nisma Thurje’ doli ‘blof’, pas denoncimit publik që bëri një minator ku garonte për deputet në Dibër pa dijeninë e tij. Minatori Selim Lela, 26-vjeç, ishte surprizuar teksa miqtë e tij e kishin vënë në dijeni se ishte pjesë e listave. Ai sqaronte me anë të rrjeteve sociale se me përfaqësuesit e ‘Nismës Thurje’ është takuar ‘kokë më kokë’ për çështjen e statusit të minatorit. Madje është bërë pjesë e kësaj loje dashakeqe, duke i bërë një foto të cilën e kanë përdorur për interesat e tyre.

Por ai i mëshon fort faktit se nuk është kandidat për deputet, dhe se kandidati i pavarur i minatorëve është Elton Debreshi. Marrë shkas nga qëndrimi publik i Selimit dhe plasjen e kësaj ‘bombe’, nga ana e ‘Nisma Thurje’ ka një kundërpërgjigje. Në dy javët e fundit, thotë ‘Nisma Thurje’, 15 kandidatë të cilët kishin plotësuar formularët e kandidimit, kanë kërkuar të tërhiqen për shkak të presioneve ndaj tyre, apo ndaj familjarëve të tyre.

Këto kërcënime kanë qënë të lidhura me vendin e punës, thuhet në reagim. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, citohet se ka raste si Dibra, ku presioni ka qënë fizik duke krijuar vështirësi të jashtëzakonshme. Duke u ndalur tek skandali i fundit, me emrin e minatorit Selim Lela, i cili shprehej shkurt dhe qartë se e kishin keqpërdorur besimin e tij duke shfrytësuar edhe një foto për qëllime partiake, ‘Nisja Thurje’ ka një tjetër argument.

Kjo forcë shprehet se grupi i Dibrës e përzgjodhi Selimin si kandidat, për shkak të historisë që ai përfaqësonte. Madje, sipas versionit për përçon ‘Nisma Thurje’, Selimi ka patur synimin për të çuar në Parlament statusin e minatorit. Por çfarë ndodhi rrugës? Pse ai u tërhoq? Pas publikimit të kandidaturës, 26-vjeçarin duket se e kanë kërcënuar! Duke demostruar këto të dhëna me anë të dokumenteve, ‘Nisma Thurje’ sqaron opinionin publik se nuk do të ndalen në këtë betejë të nisur prej vitit 2014.

Njoftimi

Kush ka frikë nga Nisma Thurje? Në këto zgjedhje Nisma Thurje prezantohet me 153 kandidatë, të cilët u përzgjodhën nga mijëra kandidatura të sugjeruara. Po ta shohësh listën tonë, do shohësh se aty përfaqësohet ajo pjesë e shoqërisë, e cila sot mban mbi supe me taksa një grup oligarkësh, bashkë me politikanët që vijnë me çetat e militantëve. Mirëpo që kur i kemi prezantuar ndaj kandidatëve tanë kanë filluar presionet, të cilat deri më sot nuk i kemi bërë publike. Vetëm dy javët e fundit, 15 kandidatë të cilët kishin plotësuar formularët e kandidimit, kanë kërkuar të tërhiqen për shkak të presioneve ndaj tyre apo ndaj familjarëve të tyre.
Kryesisht kërcënimet kanë qënë të lidhura me vëndin e punës, por ka raste si Dibra, ku presioni ka qënë fizik duke na krijuar vështirësi të jashtëzakonshme.
Rasti më i fundit është presioni ndaj kandidatit të renditur i 5-ti në listën shumëemërore të Dibrës, ku Nisma Thurje garon me 6 kandidatë. Grupi i Dibrës e përzgjodhi Selimin si kandidat, për shkak të historisë që ai përfaqësonte, të një të riu, bir minatori, që nuk e donte punën në minierë, por në atë zonë nuk ka mbetur asnjë alternativë më e mirë për të rinjtë. Megjithëse e dinte sa e vështirë ishte, Selimi guxoi të kandidojë për deputet (foto më poshtë), një ëndërr që politika e 30 viteve është përpjekur tua mohojë fëmijëve të populit. Selimi ka patur synimin për të çuar në Parlament statusin e minatorit, dhe të luftojë me ata që i falin rentën minerare oligarkëve të kromit.
Mirëpo, pas publikimit të kandidaturës, Selimi na njoftoi se i filluan kërcënimet, një pjesë e të cilave u drejtuan edhe tek faqja e Nismës Thurje në Tiranë (shiko fotot më poshtë). Këto kërcënime e bënë atë të kërkojë të heqë dorë nga gara për këto zgjedhje, dhe nga ëndrra e tij për të përfaqësuar në mënyrë direkte komunitetin ku ai bën pjesë. Siç duket ata i tremb më shumë mandati i Selimit, se sa mandatet e Xhelalit, Lalës apo Hajriut. Ata nuk kanë frikë nga kandidatët e partive të vjetra, të cilët votat i marrin në Dibër, por jetën e bëjnë nëpër kodrat e Tiranës, por tremben nga njerëzit e panjohur, sepse ata janë të paparashikueshëm.
Ka një dorë që përmes një skeme të koordinuar, po përpiqet ta paraqesë këtë situatë si një konflikt mes dy minatorëve, dhe jo si një përballje mes atyre që rrezikojnë jetën në minierë, dhe atyre që ngrohen në diell nëpër kodrat e Tiranës. Jo, kjo betejë nuk është mes atyre që vuajnë njësoj në minierë, por mes atyre që nuk kanë më asgjë, dhe atyre që kanë shumë për të humbur.  Jo, Selimi nuk e ka këtë betejë me Eltonin apo minatorët e tjerë, të cilët i kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim. Ne e kemi këtë betejë me oligarkët dhe politikanët që po varfërojnë një Shqipëri të tërë, përmes konçesioneve dhe monopoleve, që janë bërë përmes ligjeve me porosi.
Por ne nuk kemi ndërmënd të ndalemi në këtë betejë që kemi nisur që prej vitit 2014, dhe nuk ka kërcënim apo skemë që na dekurajon në këtë rrugë që kemi nisur. Ata mund të bëjnë ç’të duan, por pika e parë e Kartës 2020 vazhdon të jetë ‘kombëtarizimi i burimeve natyrore të shqiptarëve’. Prandaj ky do jetë projektligji i parë që do të çojmë në Parlament. Minierat që na janë marrë sot do t’i kthehen sërish shoqërisë, dhe minatorët që skllavërohen sot, do ta rifitojnë sërish lirinë. Prandaj edhe projektligji i dytë që do të çojmë në Parlament do të jetë për statusin e minatorit, për t’i dhënë mbrojtje minatorëve si Naimi (babai i Selimit) si Eltoni, si Ylli Gjura, apo si dhjetra minatorë që kanë rrezikuar jetën e tyre mijëra metra nën tokë, për të nxjerrë prej aty një pasuri të cilën ata nuk e gëzojnë dot, sepse ua kanë marrë. Prandaj, duam t’i kujtojmë ata që janë mësuar të kontrollojnë listat e partive të vjetra, se ata mund të tentojnë të trembin një apo më shumë kandidatë, por nuk do të mundet dot kurrë të trembin një popull të tërë, i cili ka filluar të zgjohet.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *