“Minimum i ri historik!”- Euro bie në 119.9 lekë

Euro pësoi një tjetër rënie të lehtë në kursin e këmbimit me Lekun ditën e mërkurë dhe preku një minimum të ri historik.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye me 119.9 Lekë, kurs lehtësisht më i ulët se rekordi i mëparshëm prej 119.91 Lekë që ishte shënuar më datë 23 Maj.

Agjentët besojnë se në zhvlerësimin e Euros në kursin e këmbimit me Lekun ka filluar të ketë një ndikim të konsiderueshëm faktori sezonal. Nisja e sezonit veror shoqërohet me rritje të numrit të turistëve dhe me shtim të flukse valutore hyrëse në ekonominë shqiptare. Kjo zakonisht shkakton një zhvendosje në ulje të kursit të këmbimit Euro-Lek gjatë muajve të verës.

Banka e Shqipërisë ka evidentuar se gjatë viteve të fundit efekti sezonal është zgjatur në kohë, duke filluar më herët, në periudhën maj-qershor dhe duke u zgjatur deri në muajin shtator. Megjithatë, ky efekt kulmon mes fundit të korrikut dhe fillimit të gushtit, kur fluksi i turistëve arrin kulmin dhe bashkë me të, edhe oferta e Euros në tregun valutor vendas.

Mbështetur në këtë logjikë, është e arsyeshme të pritet që kursi i Euros me Lekun të prekë rekorde të reja në rënie gjatë kësaj vere.

Kriza e çmimeve në tregjet globale dhe inflacioni më i lartë në më shumë se 20 vjet krijuan mes ekspertëve një pritshmëri se ndoshta leku mund të zhvlerësohej disi në kursin e këmbimit me Euron. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi, madje qysh prej fundit të vitit të kaluar pozitat e lekut u forcuan më tej.

Me përjashtim të një momenti paniku në fillim të marsit, i lidhur kryesisht me blerjet valutore për importe të energjisë, Leku është shfaqur i qëndrueshëm, me një prirje të lehtë mbiçmuese ndaj Euros.

Tani që kemi hyrë në sezonin veror, agjentët besojnë se efekti sezonal do të ndikojë në një rënie të mëtejshme të kursit të këmbimit Euro-Lek.

Pritshmëritë për sezonin veror këtë vit paraqiten pozitive, megjithë pasiguritë që ka krijuar inflacioni i lartë për ekonomitë familjare. Tejkalimi i efekteve të pandemisë dhe heqja e kufizimeve ka bërë që lëvizjet ndërkufitare të njerëzve t’i kthehen normalitetit.

Mbështetur në të dhënat e INSAT, deri në fund të katërmujorit, në Shqipëri hynë pothuajse 1.1 milionë shtetas të muaj, në rritje me 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Madje, hyrjet e shtetasve të huaj i janë afruar shumë nivelit të para pandemisë, me vetëm 3% më pak krahasuar me 4-mujorin e vitit 2019. Premisat pozitive për turizmin hyrës shtojnë gjasat për një mbiçmim të mëtejshëm të kursit të Lekut.

Një ndikim pozitiv në prurjet valutore ka dhënë edhe rritja e ndjeshme e eksporteve. Sipas Instat, për 4-mujorin 2022 eksportet shqiptare u rritën me rreth 49%, falë rritjes së çmimit të lëndëve të para dhe e materialeve të ndërtimit. Deficiti tregtar është zgjeruar me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por ritmet e rritjes së deficitit janë ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *