Ministrat e Bashkimit Evropian mblidhen për Ballkanin Perëndimor

Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të jenë në fokus të diskutimit kushtuar situatës në Ballkanin Perëndimor, në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) të hënën, më 14 nëntor.

Sipas njoftimit, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të përbashkët të jashtme dhe siguri, Josep Borell, do t’i informojë krerët e diplomacisë evropiane për ngërçin në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe takimet që pati në Paris në fund të javës së kaluar. me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Pritet që në fund të diskutimit, ministrat e jashtëm të BE-së të përsërisin thirrjen për angazhim konstruktiv të palëve në tejkalimin e sfidave dhe uljen e tensioneve.

Ata gjithashtu do të kërkojnë përparim në procesin e dialogut drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis dy palëve.

Marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës janë të acaruara për shkak të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për të filluar zbatimin e vendimit për anulimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe për automjetet që përdoren kryesisht nga serbët në veri të Kosovës.

Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare kërkuan nga Prishtina zyrtare shtyrjen e zbatimit për dhjetë muaj, gjë që autoritetet e Kosovës e refuzuan.

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE) dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) gjithashtu shprehën zhgënjim për këtë procedurë.

Për shkak të marrëdhënieve të tensionuara, nuk ka pasur takim të ri mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb, ndonëse BE-ja ka premtuar se dialogu do të ketë një dinamikë të re dhe se liderët do të takohen një herë në muaj.

Ndërkohë, është konfirmuar ekzistenca e të ashtuquajturit plani i dialogut gjermano-francez, por palët kanë qëndrime diametralisht të ndryshme për këtë plan.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen folën për ekzistencën e të ashtuquajturit plan franko-gjerman më 3 nëntor në Berlin. Von der Leyen konfirmoi se ky plan tani është “integruar në procesin e dialogut”.

Edhe pse situata në Kosovë dhe tensionet e krijuara në veri do të jenë tema kryesore në pjesën e takimit ku do të diskutohet për Ballkanin Perëndimor, pritet që ministrat të shkëmbejnë mendime për ndikimin e agresionit rus në Ukrainë dhe rajoni, si dhe mbi situatën politike në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë.

Ata do të diskutojnë gjithashtu procesin e zgjerimit të BE-së përpara samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *