Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka lajmëruar se gadishulli i Karaburunit nuk ka më vatra zjarri. Ai është shprehur se stina e nxehtë akoma s’ka përfunduar, por shuarja e zjarreve në Karaburun është lehtësuese.
Peleshi thekson se autoritetet janë të gatshme të qëndrojnë krah komuniteteve lokale. Ndërkohë situata në Kukës dhe disa qarqe të tjera vazhdon të jetë shqetësuese dhe terreni malor dhe i thyer e vështirëson shumë punën.
STATUSI NGA NIKO PELESHI
Më në fund pas 2 javësh mundi dhe sakrificash, nuk ka më vatra zjarri në Karaburun. Qindra orë betejash, qindra trupa të Forcave të Armatosura e forcave zjarrfikëse, specialistë të zonave të mbrojtura dhe emergjencave civile kanë punuar pa u lodhur për të shpëtuar Parkun Kombëtar të Llogarasë. Kjo stinë e nxehtë s’ka mbaruar por sot, në këtë moment frymëmarrjeje dua t’i falenderoj të gjithë ata që dhanë gjithçka në këto ditë të vështira. Të gjithë po bëjmë detyrën por disa heronj shkojnë përtej detyrës. Prefekti Flamur Mamaj, komandantët që drejtuan operacionet e vështira Gëzimi, Pëllumbi, Idrizi, Arbeni, punonjësit e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, punëtorët e palodhur të zonave të mbrojtura si Nexhipi, Ganiu e te tjerët që nuk i takova dot sepse ishin gjithë kohën në frontin e betejës me zjarret, pilotët Julian, Agimi, Ervini dhe Agroni, janë shqiptarë të rrallë që meritojnë respekt dhe mirënjohje.
Nuk mund ta le mënjanë çdo ushtar të thjeshtë që nuk ia mësova dot emrin por i pashë veprën.
Sfida vazhdon.
Ne jemi të gatshëm në krah të komuniteteve lokale.