Ministri i Brendshëm i Kosovë, Xhelal Sveçla ka njoftuar se gjatë ditëve të djeshme dhe sotshme janë arrestuar dy persona, që janë të dyshuar për sulme ndaj Policisë së Kosovës. Me anë të një postimi në rrjetet e saj sociale, ministri Sveçla shkruan se që të dy janë të etnisë serbe. Ai ka thënë se sulmet ndaj qytetarëve dhe zyrtarëve policorë, janë të papranueshme.
“Sulmet që cenojnë sigurinë e vendit tonë, ndaj qytetarëve dhe ndaj zyrtarëve policorë janë të pa pranueshme. Duhet angazhim i gjithsecilit që kryesit e këtyre veprave, pa dallim etnie, të sillen sa më parë para drejtësisë. Policia e Kosovës dje ka arrestuar një qytetar të etnisë serbe për sulm ndaj zyrtarëve policor dhe sot është arrestuar një tjetër qytetar i etnisë serbe i cili po ashtu ka qenë në kërkim për sulme ndaj zyrtarëve policor,”- ka shkruar Sveçla.
Ministri ka thënë se lufta kundër krimit nuk ka alternativë.
“Siç edhe jemi zotuar në vazhdimësi, lufta jonë kundër krimit dhe rritja e sigurisë për qytetarët pa dallim nuk kanë alternativë. Do të vazhdojmë angazhimin maksimal që të gjithë kryesit e veprave kriminale e terroriste të sillen para drejtësisë. Me përkushtimin e të gjitha institucioneve, gatishmërinë e zyrtarëve policor dhe bashkëpunimin qytetar, do i’a dalim mbanë,”- ka shkruar ai ndër të tjera.
Mitrovica e Veriut është në tensione pas vendosjes së pjesëtarëve të policisë në këtë zonë. Mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00 në vendbanimin Serbovc në komunën e Zveçanit patrulla e policisë është sulmuar me armë zjarri.