Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e 11 ditëve që ka luftuar me zjarret në vendin tonë. Në një njoftim për mediat, bëhet me dije se në total janë shuar 163 vatra zjarr. Për 11 ditë është punuar nga toka dhe nga ajri në vatrën e zjarrit në Gadishullin e Karaburunit. Kjo vatër është e izoluar në pjesën më të madhe, por është ende aktive. Në njoftim bëhet me dije se janë shuar vatrat e zjarrit thuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë, ndërsa aktive është vetëm ajo e Karaburunit.
Njoftimi zyrtar
163 vatra zjarri janë shuar në të gjithë territorin e vendit, në një periudhë 11 ditore. Agjencia e Mbrojtjes Civile ka bërë një bilanc të punës së kryer nga efektivët e Forcave të Armatosura, të cilët kanë shkuar në ndihmë të autoriteteve të pushtetit vendor, kur është kërkuar ndërhyrja e tyre.
Zjarret e rëna në bashkinë Fier më datë 28.07.2021, në fshatin Kreshpan,Cakran dhe në vendgrumbullimin e mbeturinave në Fier janë shuar 3 ditë pas operacioneve pa pasur dëme në njerëz dhe banesa. Për 11 ditë është punuar nga toka dhe nga ajri në vatrën e zjarrit në Gadishullin e Karaburunit. Kjo vatër është e izoluar në pjesën më të madhe të tij. U shua në një kohë rekord zjarri i rënë më datë 30.07.2021, në vendin e quajtur “Qafa e Hartës” në Ksamil, bashkia Sarandë, duke shmangur me sukses rrezikun që paraqitej për banesat aty pranë.
Zjarri i rënë në Himarë, Livadhë u shua në kohë të shpejtë, duke mos i lënë flakët të kalojnë në zonën ku pushonin turistët. U realizua me sukses mbajtja jashtë rrezikut e banesave dhe e banorëve nga zjarri që ra në fshatin Kutal, bashkia Përmet. Zjarret e rëna në fshatrat: Qestorat, Dhoksat, A.Lengo, A.Zeneli, Krinë, Tranoshisht, Saraqinisht, në bashkinë Gjirokastër u shuan përfundimisht, duke shpëtuar në kohë banorët dhe banesat, por fatkeqësisht vetëm me një humbje jete dhe një të lënduar.
Janë shuar totalisht edhe zjarret ne fshatrat Gjorm dhe Gumenicë, në Qarkun Gjirokastër. Këto vatra u shfaqën në mënyrë të menjëhershme dhe me drejtim të pakontrolluar si pasojë e erërave të forta. U arrit të mbrohej jeta e banorëve që ishin të rrethuar nga flakët.
Zjarri i rënë në bashkinë Kurbin me datë 01.08.2021, në njësinë administrative Mamurras, në një sipërfaqe me pyll pishe dhe lis u shua ne kohë duke shmangur rrezikun e banesave aty pranë.
Zjarri i rënë në bashkinë Vorë, zona e Gërdecit, u menaxhua në kohë duke shmangur rrezikun e banesave qe ishin shume pranë vatrave. Edhe flakët në qytetin Fushë Arrëz, u menaxhuan pa kaluar tek banesat aty pranë. Është shuar tërësisht edhe vatra e zjarrit në Kalis të Kukësit, i cili rrezikoi edhe banesat e zonës.
/Priza.al/