Ministria e Mjedisit propozon rritjen e gjobave për kompanitë e karburantit që shkelin kushtet e shkarkimit të ndotësve në ajër

Rriten gjobat për operatorët e prodhimit, importit dhe tregtimit të karburanteve dhe të atyre të pajisur me leje mjedisore të kategorive A, B dhe C që nuk respektojnë kushtet e shkarkimit të ndotësve në ajër.

Në projektligjin e Ministrisë e Turizmit dhe Mjedisit të publikuar në konsultimet publike propozohet rritja e gjobave për mosrespektimin e kushteve për lejet e dhëna mjedisore, si dhe për subjektet e prodhimit, importit dhe tregtimit të lëndëve djegëse.

Konkretisht gjobat për lejet mjedisore të kategorisë A nga 1 deri 2 mln lekë propozohen në nivelin e 1,3 mln deri 2,6 mln lekëve. Për lejet mjedisore të kategorisë B masa e gjobës varionte nga 300 mijë deri në 500 mijë lekë, ndërsa sipas projektligjit propozohet nga 390 mijë lekë në 550 mijë lekë. Ndërsa për lejet e mjedisit të tipit C, masa e gjobës e parashikuar në ligj në vlerën 300 mijë deri në 500 mijë lekëve nuk ndryshon.

Për operatorët prodhues, importues dhe të tregtimit të lëndëve djegëse që shkelin vendimit e nenit 14 të ligjit (vendimin për cilësinë e lëndëve djegëse benzinë dhe dizel; b) vendimin për cilësinë e disa lëndëve të djegshme, të lëngshme, për përdorim termik, civil e industrial, si dhe për përdorim në mjetet e transportit ujor (detar, lumor dhe liqenor); c) vendimin për masat lidhur me sigurimin e informacionit mbi konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2 gjatë marketingut të automjeteve të reja) masa e gjobës nga 1 deri 2 mln lekë propozohet të jetë nga 1,3 deri 2,6 mln lekë.

Ndërsa përdorimi i lëndëve djegëse të ndaluara nga operatori, në kundërshtim me kërkesat e neneve 14 dhe 15, shkronjat “c” dhe “ç”, të këtij ligji (vendimin për masat lidhur me sigurimin e informacionit mbi konsumin e lëndës djegëse dhe shkarkimet e CO2 gjatë marketingut të automjeteve të reja dhe vendimin për kapjen e avujve të benzinës në fazën e dytë gjatë rimbushjes së automjeteve në pikat e shitjes) propozohet të dënohet me gjobë nga 1,3 deri 2,6 mln lekë nga 1 mln deri 2 mln që është në ligjin aktual.

Neni 20  Ishte

Çdo shkelje e kërkesave të këtij ligji dhe të akteve nënligjore, të dala në zbatim të tij, kur nuk përbën vepër penale, konsiderohet shkelje administrative dhe ndëshkohet me gjobë, pezullim apo mbyllje të veprimtarisë, përkatësisht:

a) mospërmbushja dhe mosrespektimi i kërkesave, parimeve dhe kushteve të shkarkimeve në ajër nga operatori i një instalimi, referuar lejes së mjedisit të tipave A, B apo C:

i) për lejet e mjedisit të tipit A, dënohet me gjobë në vlerën 1,000,000 (një milion) deri në 2,000,000 (dy milionë) lekë;

ii) për lejet e mjedisit të tipit B, dënohet me gjobë në vlerën 300,000 (treqind mijë) deri në 500,000 (pesëqind mijë) lekë;

iii) për lejet e mjedisit të tipit C, dënohet me gjobë në vlerën 300,000 (treqind mijë) deri në 500,000 (pesëqind mijë) lekë;

b) prodhimi, importimi ose tregtimi, nga subjektet, i lëndëve djegëse në kundërshtim me kërkesat e nenit 14, të këtij ligji, dënohen me gjobë në vlerën 1,000,000 (një milion) deri në 2,000,000 (dy milionë) lekë, në varësi të sasisë dhe rrezikshmërisë që paraqesin lëndët djegëse të palejuara, si dhe me sekuestrimin e lëndës djegëse që është gjendje;

c) përdorimi i lëndëve djegëse të ndaluara nga operatori, në kundërshtim me kërkesat e neneve 14 dhe 15, shkronjat “c” dhe “ç”, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 1,000,000 (një milion) deri në 2,000,000 (dy milionë) lekë, në varësi të sasisë e rrezikshmërisë që ato lëndë djegëse paraqesin, si dhe me pezullimin e veprimtarisë, për aq kohë sa të bëhet zëvendësimi i lëndës djegëse;

ç) ndotja e ajrit, e shkaktuar nga burimet e lëvizshme, në kundërshtim me kërkesat e nenit 13, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 1,000,000 (një milion) deri në 2,000,000 (dy milionë) lekë.

Organi që vendos gjobën dhe bën ekzekutimin e saj, si dhe pezullimin ose ndërprerjen e veprimtarisë, sipas këtij neni, është inspektorati përgjegjës për mjedisin.

Në rastet kur shkeljet përbëjnë vepër penale, inspektorati përgjegjës për mjedisin bën kallëzim penal pranë organeve përkatëse.

Bëhet

Çdo shkelje e kërkesave të këtij ligji dhe të akteve nënligjore, të dala në zbatim të tij, kur nuk përbën vepër penale, konsiderohet shkelje administrative dhe ndëshkohet me gjobë, pezullim apo mbyllje të veprimtarisë, përkatësisht:

a) mospërmbushja dhe mosrespektimi i kërkesave, parimeve dhe kushteve të shkarkimeve në ajër nga operatori i një instalimi, referuar lejes së mjedisit të tipave A apo B:

i) për lejet e mjedisit të tipit A, dënohet me gjobë në vlerën 1,300,000 (një milion e treqind mijë) deri në 2,600,000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë;

ii) për lejet e mjedisit të tipit B, dënohet me gjobë në vlerën 390,000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) deri në 650 000 (gjashtëqind e pesëdhjetë mijë) lekë;

b) prodhimi, importimi ose tregtimi, nga subjektet, i lëndëve djegëse në kundërshtim me kërkesat e nenit 14, të këtij ligji, dënohen me gjobë në vlerën 1,300,000 (një milion e treqind mijë) deri në 2,600,000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë, në varësi të sasisë dhe rrezikshmërisë që paraqesin lëndët djegëse të palejuara, si dhe me sekuestrimin e lëndës djegëse që është gjendje;

c) përdorimi i lëndëve djegëse të ndaluara nga operatori, në kundërshtim me kërkesat e neneve 14 dhe 15, shkronjat “c” dhe “ç”, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 1,300,000 (një milion e treqind mijë) deri në 2,600,000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë, në varësi të sasisë e rrezikshmërisë që ato lëndë djegëse paraqesin, si dhe me pezullimin e veprimtarisë, për aq kohë sa të bëhet zëvendësimi i lëndës djegëse;

ç) ndotja e ajrit, e shkaktuar nga burimet e lëvizshme, në kundërshtim me kërkesat e nenit 13, të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën 1,300,000 (një milion e treqind mijë) deri në 2,600,000 (dy milion e gjashtëqind mijë) lekë.”/monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *