Ditën e sotme kanë dalë rezultatet e provimit të Gjuhës së Huaj dhe ka qenë vetë ministrja Kushi e cila është shprehur se teza ka qenë shumë e thjeshtë dhe se nxënësit, sipas saj, kanë shkëlqyer. Duket se fjalët e ministres së Arsimit nuk kanë më pikë kuptimi, kur shikon notat e studentëve. Mund të thuhet se ky rezultat i Gjuhës së Huaj është më i ulëti në 3 Maturat e fundit, 2019, 2020 dhe 2021.
Nga rezultatet e publikuara rezulton se 10 absolute kanë marrë vetëm 36 maturantë nga 32.583 që u testuan për njohuritë e tyre. Ngelësa që kanë marrë 4 deri në 4.49 pa mundur të kapin një notë kaluese janë 2.199 maturantë, gati dyfish më shumë se sa vjet në 2020, ku ishin ngelësa 1232 maturantë.
Nga nota 4 deri në 4.99 ku përfshihet dhe nota 5 janë 4160 maturantë. Nga nota 5 deri në 5.99 ku përfshihet dhe nota 6 janë 4341 maturantë. Nga nota 6 deri në 6.99 ku përfshihet dhe nota 7 janë 6023 maturantë. Nga nota 7 deri në 7.99 ku përfshihet dhe nota 8 janë 5241 maturantë. Nga nota 8 deri në 8.99 ku përfshihet dhe nota 9 janë 4373 maturantë. Nga nota 9 deri në 9.99 ku përfshihet dhe nota 10 janë 8445 maturanë. Kjo është dhe fasha me numrin më të madh të maturantëve, pra janë vetëm 36 maturantë që kanë marrë notën 10 absolute.
Klikoni këtu për të parë rezultatet
Por si kanë qenë rezultatet e Gjuhës së Huaj në 3 Maturat e fundit:
Matura 2021
Me notë 10.00 – 36 maturantë
Me notë 4.00 (mbetës) – 2,199 maturantë
Matura 2020
Me notë 10.00 – 182 maturantë
Me notë 4.00 (mbetës) – 1,232 maturantë
Matura 2019
Me notë 10.00 – 63 maturantë
Me notë 4.00 – 1,154 maturantë
Provimet e Maturës këtë vit janë shoqëruar me shumë polemika, kjo për faktin se gati gjysma e vitit shkollor është zhvilluar online dhe nxënësit nuk ishin të sigurt nëse do t’ia dilnin që të merrnin rezultatin që kërkonin.
Provimi i Gjuhës Shqipe dhe ai i Matematikës u shoqëruan me protesta përpara Ministrisë së Arsimit pasi sipas tyre, kishte pyetje të cilat ishin jashtë programit mësimor dhe se shkalla e vështirësisë ishte shumë e madhe. Ndodhur në këto kushte, Ministria e Arsimit, pasi pa revoltimin e nxënësve, veçanërisht për provimin e Matematikës, vendosi uljen e kufirit minimal të pikëve për çdo notë.
Duhet përmendur, se si çdo vit tjetër edhe në këtë maturë, teza e Gjuhës së Huaj, Gjuhës Shqipe dhe ajo e Matematikës u publikua në rrjetet sociale teksa nxënësit ishin ende në provim. Për këtë skenë të përsëritur, Ministria e Arsimit u shpreh se po hetonte për të gjetur se cilët kanë qenë nxënësit që ‘dekonspiruan’ provimet për t’i vënë ata nën ndjekje penale. Për këtë incident, Ministria e Arsimit nuk ka lënë pa përmendur se është një skenë e cila ka prapavijë politike.
Por prindërve dhe mësuesve, për të parë rezultatin e një viti shkollor, mjafton të shikojnë notat, të cilat, për fat të keq, nuk janë aq të shkëlqyera sa thotë ministrja Kushi…
/Priza.al/