Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila mëngjesin e sotëm së bashku me kryeministrin Edi Rama panë nga afër procesin e vaksinimit të pedagogëve që zhvillohet tek Universiteti Politeknik i Tiranës, zbuloi se me vaksinat Sputnik do vijojnë me të moshuarit.
10 mijë dozat e vaksinës ruse Sputnik V që mbërritën dje në Shqipëri, si dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, do të përdoren për vaksinimin e të moshuarve mbi 80 vjeç.
Duke bërë një bilanc të situatës, Manastirliu deklaroi se në total kanë 90 mijë doza vaksine, nderkohë që presin të vijnë doza të tjera nga Pfizer. Po kështu presin nga Covax edhe një sasi tjetër të AstraZeneca.
“Dozat që mbërritën nga Emiratet e Bashkuara Arabe të Sputnik, do të vijojmë vaksinimin e të moshuarve +80 vjeç, pra sa më shumë të zgjerojmë fashën e të vaksinuarve në grupmosha duke ndjekur planin e vaksinimit.
Në tërësi kemi 90 mijë doza vaksine në total, ndërkohë që presim të na vijnë doza të tjera nga Pfizer, dhe të konkludojmë negociatat edhe të fillimit të vaksinimit masiv.
Gjithashtu presim nga Covax edhe një sasi tjetër të AstraZeneca që kemi të dhënë nga 60 mijë deri në 80 mijë të AstraZeneca, por jemi duke pritur që të kemi një informacion”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.