Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë Konferencës së Forumit të Budapestit për Ballkanin Perëndimor,
Dy ministrat vlerësuan se marrëdhëniet e shkëlqyera dhe me angazhim të dyanshëm, do të zhvillohen edhe më tej në të ardhmen.
Ministrja Xhaçka e uroi homologun Osmani për marrjen e presidencës së OSBE, për të cilën shprehu besimin se do të kontribuojë për paqe dhe prosperitet në rajon dhe më gjerë.
“Ata diskutuan edhe mbi rrugëtimin e gjatë të dy vendeve drejt Bashkimit Evropian, ku pikërisht në këto momente duhet të bashkojmë përpjekjet tona më qëllim përmbushjen e detyrave të kërkuara dhe për t’i shkuar kësaj rruge deri në fund”, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme.
Kryediplomatja shqiptare vlerësoi rolin dhe kontributin e faktorit shqiptar, i cili vazhdon të kontribuojë për sigurinë dhe prosperitetin e Maqedonisë e Veriut. Dy ministrat e dakordësuan për një vizitë të ardhshme në Shkup të Xhaçkës, në fund të këtij muaji.