Deklaratës për të Zhdukurit u miratua ditën e sotme nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Lajmin e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell.
Në një komunikatë të lëshuar për media, Borrell ka theksuar se Vuçiç dhe Kurti nën ndërmjetësimin e BE-së kanë konfirmuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave të pagjetur, për t’u dhënë fund vuajtjeve të të dashurve të tyre.
“Të dyja palët e njohën çështjen e personave të zhdukur si një çështje humanitare dhe theksuan nevojën urgjente për përpjekje shtesë të përbashkëta për zbutjen e situatës së familjeve të prekura dhe komunitetit më të gjerë. Ata vlerësuan punën e rëndësishme të bërë nga Grupi i Punës për Persona të Zhdukur, i kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (Si shenjë e vendosmërisë së tyre të përbashkët për të siguruar zbatimin e plotë të detyrimeve në fushën e personave të zhdukur, ata miratuan Deklaratën për Personat e Zhdukur,”– ka thënë Borrell.
Ai ka shtuar se liderët janë zotuar që në takimin e radhës të bien dakord për detajet operacionale në zbatimin e kësaj deklaratë. Në deklaratën e Borrell, më tej thuhet nga 6065 raste të personave të zhdukur në periudhën nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000, 1621 kanë mbetur të pazgjidhura.
Borrell ndër të tjera ka shtuar se “zgjidhja e çështjes së të zhdukurve nuk është vetëm një detyrim humanitar, por edhe faktor kyç për pajtimin dhe besimin mes njerëzve.”
Ai po ashtu ka shtuar se progresi i arritur nga kjo deklaratë e miratuar do të jetë nën shqyrtim të vazhdueshëm nga Komiteti i Përbashkët Monitorues i kryesuar nga BE-ja, i cili mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes dhe Ankesit të saj për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.