Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar këtë të enjte në lidhje me miratimin e hartës së re gjyqësore.
Përmes një njoftimi zyrtar, KLGJ bën me dije se ky vendim i hap rrugën një procesi i cili synon rritje ne efikasitetit dhe efektshmerisë të gjykatave dhe dhënies së drejtësisë në mënyrë të barabartë e pa vonesa për të gjithë qytetarët.
Si dhe garanton ndërhyrjen e duhur për rritjen e aksesit për shërbimet gjyqësore.
Postimi i plotë:
Sot më datë 21.07.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë kurorëzuan punën pothuajse 3 vjeçare të Grupit Ndër-institucional të Punës për Riorganizimin e kompetencave tokësore të gjykatave. Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e përbashkët për Hartën e re Gjyqësore, e cila synon riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave në përputhje me standardet me të mira ndërkombëtare të efiçencës gjyqësore. Harta e re gjyqësore bazohet në metodologjinë e propozuar nga Komisioni Evropian për Eficencën në Drejtësi (CEPEJ) dhe është hartuar me asistencën teknike të ekspertëve të Këshillit të Evropës, USAID dhe Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Ligjzbatimit e Ambasadës së SHBA në Shqipëri dhe Delegacionit të BE-së.
Këshilli i Lartë Gjyqësor, përshëndet këtë vendimmarrje, e cila është tregues i bashkëpunimit të ndërsjellët midis pushteteve, me qëllim garantimin e një demokracie funksionale në Shqipëri dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Vendimi i sotëm i hap rrugën një procesi i cili synon rritje ne efikasitetit dhe efektshmërisë të gjykatave dhe dhënies së drejtësisë në mënyrë të barabartë e pa vonesa për të gjithë qytetarët. Miratimi i hartës së re gjyqësore përmbush jo vetëm një detyrim ligjor, po garanton ndërhyrjen e duhur për rritjen e aksesit në drejtësi dhe siguron marrjen e shpejtë të shërbimeve gjyqësore për publikun. Qytetarët të cilët jetojnë në qytetet ku gjykatat riorganizohen do të vijojnë të marrin shërbimet si më parë nga Zyrat e shërbimeve gjyqësore. Po ashtu, përmes zbatimit të Hartës së Re Gjyqësore synohet një shpërndarje e ekuilibruar e ngarkesës mes gjykatave dhe gjyqtarëve, përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe specializimin e profilizimin e gjyqtarëve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i angazhuar për të vijuar bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë dhe aktorë të tjerë për të siguruar një plan zbatimi të mirëmenduar që do të mundësojë jetësimin e plotë dhe me sukses te Hartës së Re Gjyqësore dhe të garantojë gjykata funksionale e shërbime e të efektshme për qytetarët.