Komisioni i Ligjeve, ku u diskutua për projektin e Portit të Durrësit është mbyllur me debate.
Pas shumë orë diskutimesh, kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka hodhi në votim ligjin, por, kjo u kundërshtua ashpër nga deputetët e Partisë Demokratike.
Deputeti i PD, Gazment Bardhi është ngritur nga vendi dhe i ka rrëmbyer mikrofonin drejtueses së Komisionit duke e ‘flakur’ në mes të tavolinës.
“Nuk ka më diskutim, do kalojmë në votim, sepse ju kolegë nuk keni respekt. Në momentin që ju flisni ne ju respektojmë. Në momentin që ne flasim ju flisni në korr. Atëherë kalojmë në votim. Kush është dakord me projektligjin? Të numërojë votat sekretaria”, tha Bushka, ndërsa në këtë moment, Gazment Bardhi ngrihet nga vendi dhe i ‘flak’ mikrofonin.
Ndërkohë, Bushka ka vijuar me përmbylljen e procesit të votimit edhe pas reagimit të ashpër të deputetit të PD.