Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ka miratuar ditën e sotme me 7 vota pro dhe 3 kundër ndryshimet në ligjin për mbështetjen e start up-ve në teknologjinë e informacionit.
Ligji i ri parashikon që nomadët digjital të mos jenë rezidentë tatimor për 1 vit. Po ashtu parashikohet ngritja e një agjencie të dedikuar mbi start up-et e cila është “Agjencia Shtetërore për Mbështetjen dhe Zhvillimin e Startup-eve dhe Lehtësuesve apo STARTUP Albania.”
Sipas deputetit të Partisë Demokratike, Helidon Bushati, përjashtimi nga skema tatimore dhe lehtësimi i procedurave mund të sjell nxitjen e skemave të mashtrimit nga ana e këtyre individëve që do zgjedhin të aplikojnë si nomad digjital në vendin tonë.
Por Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali, sqaroi se aplikuesit do kalojnë një filtër të pastërtisë së figurës dhe garantoi se i vetmi favor do të jetë përjashtimi nga sistemi tatimor për 1 vit, por ata do ti nënshtrohen respektimit të ligjeve të vendit tonë.