Qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim, i cili i detyron bizneset e bareve dhe restoranteve që t’u shërbejnë ujë nga rubineti klientëve të tyre, në rastet kur furnizohen nga ujësjellësi publik.
Paraprakisht këto biznese duhet të monitorojnë cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga ana e klientëve.
Ndërkohë për ato biznese të cilat furnizohen me ujë nëpërmjet puseve ose rezuareve, obligohen të pajisen me certifikatë të cilësisë së ujit nga Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike, përprara se t’ia shërbejnë atë klientëve të tyre.
nga ana tjetër ky vendim është mirëpritur nga ana e bizneseve në fushën e gastronomisë.
“Është miratuar vendimi i cili obligon bizneset për shërbimin e klientëve me ujë nga rubineti, dhe monitorimin e cilësisë së ujit të destinuar për konsum njerëzor në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik. Në situatën kur objekti i gastronomisë furnizohet nga uji i puseve, rezervuarve apo rrjetit i cili nuk menaxhohet prej kompanive publike të ujit, pronari obligohet të bëjë monitorimin e cilësisë së ujit në përputhje me Udhëzimin Administrativ për cilësinë e ujit të destinuar për konsum njerëzor. Në këto situata, pronari duhet të pajiset edhe me certifikatë të cilësisë së ujit nga Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike dhe të njëjtën duhet ta ekspozojë në lokal”, thuhet në vendimin e qeverisë.