Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se mbështet dialogun ndërmjet të gjitha palëve për të qetësuar tensionet në veri të Kosovës.
“Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të rrisë tensionet dhe të përshkallëzojë situatën”, tha gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia në një deklaratë, sipas Reuters.
“Zgjidhjet duhet të kërkohen përmes dialogut”, shtoi ai.
Që nga mbrëmja e 27 dhjetorit është mbyllur pikëkalimi kufitar Merdarë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diaspora e Kosovës ka njoftuar në Facebook se “grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare Merdare”.
Ky vendkalim, një nga pikat kufitare me Serbinë, përdoret nga diaspora kosovare për hyrje dhe dalje nga Kosova.