Janë zbuluar të tjera detaje lidhur me vrasjen që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Shkozë, ku kunati ka vrarë me armë zjarri kunatën, nusen e vëllait e më pas veten.
Mësohet se Roland Sinani e ka qëlluar për vdekje 37-vjeçaren, Migena Sinanin, kur i vëllai nuk ishte në shtëpi.
Kjo pasi bashkëshorti i Migenës, vëllai i autorit, punonte si taksist.
Motivet e ngjarjes nuk dihen ende. Në banesë në momentin e krimit kanë qenë të pranishëm dhe prindërit e autorit, të cilët raportohet të kenë thënë në polici se nuk kanë parë asgjë nga ajo që ka ndodhur sepse kanë qenë në gjumë. Tronditës është fakti se pranë saj, ishte vajza 2-vjeçare, ndërsa fëmija tjetër ishte në dhomën e gjyshërve.
Krimi ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit.
“Rreth orës 04:00 të mëngjesit, në Shkozë, në banesë, shtetasi R. S., 43 vjeç, në rrethana ende të paqarta dyshohet se ka vrarë me armë zjarri kunatën (nusen e vëllait) shtetasen M. S., rreth 37 vjeçe dhe më pas ka vrarë veten.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.”, njoftojnë blutë.