Misteret e zhdukjes së mbretit të lojërave të fatit, si humbën gjurmët e Ervis Martinajt dhe çfarë fshihet pas

Ervis Martinaj i njohur si mbreti i lojërave të fatit në Shqipëri, vijon të mbetet i zhdukur dhe fati i tij ende mbetet mister. Emisioni “Në shënjestër” i gazetares Klodiana Lala është ndalur pikërisht tek ky rast… Çfarë ndodhi me personazhin e njohur të botës së krimit? U arratis, apo e rrëmbyen dhe e vranë?

Dokumentari- Pjesa e Parë

Asgjë e njohur rreth fatit të tij. Edhe pse kanë kaluar mëse 5 muaj, nga zhdukja e pandriçuar e atij që deri dje njihej si ‘Mbreti i Bixhozit’, Ervis Martinaj vazhdon të jetë i humbur. Enigmat vazhdojnë, ndërsa familja këmbëngul se ai është rrëmbyer dhe vrarë, dhe se pas krimit makabër qëndrojnë njerëz të politikës. Ndonëse kryeministri i la afat, drejtorit të përgjithshëm të policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, për fatin e Martinajt, nuk ka ende një përgjigje. Ndërsa Rrumbullaku që zëvendësoi Gledis Nanon, përsërit refreniin se hetimet për rastin janë në rrugë të mbarë….

Por, ndërsa babai i 4 fëmijëve u zhduk pa gjurmë në gusht të këtij viti, teksa ishte në kërkim ndërkombëtar, grupet rivale kishin kohë që kishin nisur fushatën për spastrimin e ushtarëve të tij. Duke zgjedhur kohë pas kohe të kafshonin fort, pjesë nga trupi i copëtuar i grupit të atij që dikur cilësohej si i paprekshmi i botës së krimit. Ku ende pa e marrë veten nga humbja e rëndë që pësoi me ekzekutimin e kushëririt të tij Brilant Martinaj dhe miqve të tij, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha, ngjarje kjo, e ndodhur më 17 korrik 2022, në mbikalimin e Fushë-Krujës, Ervis Martinaj, mori brenda pak javësh një tjetër goditje asfiksuese. Që tregoi farë qartë se kundërshtarët tashmë ishin gjithmonë e më shumë një hap përpara grupit të tij kriminal. Që edhe pa këtë goditje, dukej të ishte mjaftueshëm i dobësuar përballë rivalëve.

Të cilët duke parë krahët e pambrojtur të Ervis Martinaj, kishin filluar ta sulmonin atë në pikat e tij më nevralgjike. Një sulm i tillë do të ishte edhe ai i fundit para se Ervis Martinaj të zhdukej. Sulmi me armë ndaj atij që njihej edhe si truri i nëndheshëm financiar i Martinaj.

Ylli Brahja, që mbante edhe mbiemrin Brahimi. Apo njohur ndryshe si krahu i djathtë i bosit të lojrave të fatit, të zhdukur tashmë që prej 10 gushtit 2022. Një personazh, herë në hije, herë në dukje, që zhdukej dhe shfaqej rishtas në ngjarje të ndryshme kriminale. Që më herët kishte qenë i skeduar në çështje droge dhe i përfshirë në lojëra fati. Por që edhe këtë herë do t’i shpëtonte paq një tjetër atentati të rëndë ndaj tij. Fat që nuk do ta kishte shoqëruesi i tij, i riu Klisman Preçi. Skenë krimi, që u zhvillua mbrëmjen e 22 korrikut 2022, pikërisht në hyrjen kryesore të banesës së Ylli Brahjas. Aty, ku ai do të mendonte se do të ishte më sigurtë se askund tjetër. Por që autorët e kishin zgjedhur banesën e tij në qendër të Milotit, si vendin më të përshtatshëm për t’i dhënë goditjen e radhës me qëllim eleminimin e tij.

Plumba të panumërt të derdhur ndaj makinës së tij të blinduar, që nuk mundi t’i shpëtonte jetën mikut të tij, i cili ishte ngjitur në makinë me mikun e Martinajt, vetëm 10 metra larg nga vendi ku u qëllua. I cili, edhe pse u dërgua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërroi jetë gjatë rrugës. Ndërsa Ylli Brahja, mori plagë të rënda, por mundi ti shpëtojë edhe këtë herë atentatit të radhës ndaj tij. Pas një kurimi të gjatë në spitalin e Traumës.

Grupi i hetimit konstatoi në vendngjarje, një automjet të blinduar, tip Fuoristradë Toyota ‘Land Chrysler’, ngjyrë të zezë me targë SK1447 BA. Automjet ku viheshin re dëmtime të shumta si pasojë e shpimit nga plumbat, kryesisht në pjesën e pasme të tij, si edhe në xhamin e parmë të krahut të majtë të shoferit. Xham i cili ishte plotësisht i dëmtuar nga predhat e armëve të zjarrit. Çka tregonte se automjeti ishte qëlluar nga pas dhe objektivi ishte eleminimi i Ylli Brahjas.

Vetëm një orë nga ndodhja e krimit, grupi hetues u njoftua nga policia, se jo shumë larg vendit të ngjarjes kishin gjetur një makinë të djegur. Makinë ku pas verifikimit u gjetën edhe dy armë, që mendoheshin se ishin përdorur në krim.

 

 

Personi i parë që e transportoi Ylli Brahjan fillimisht drejt Spitalit të Lezhës, ishte Edison Lleshi. Banor i Milotit, i cili rrëfeu për grupin hetues, edhe këtë moment./BW

 


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *