Misteri i vrasjes së Ramazan Matajt, hetohen telefonatat dhe gëzhojat për të zbuluar autorët

Vrasja e Ramazan Matajt në Postrivë, e ndodhur mbrëmjen e së shtunës, është mbuluar me mister. Policia dhe prokuroria po analizojnë telefonin e viktimës për të hetuar nëse ai është nxjerrë në pritë, pasi është qëlluar me breshëri plumbash. Në vendin e krimit janë gjetur dhjetëra gëzhoja, por ende nuk ka asnjë gjurmë që mund të çojnë në autorët e sulmit. Hetuesit dyshojnë se vrasja mund të jetë kryer nga një person, edhe pse numri i gëzhojave dhe plumbave të gjetur është i madh.

Hetimet e para nuk kanë ofruar pista të qarta, ndërsa familja e viktimës, e shqetësuar, ka kërkuar që autorët të kapen sa më shpejt. Babai i Ramazan Matajt, Fatmir Mataj, ka kërkuar publikisht që shteti dhe policia të zbardhin ngjarjen dhe të gjejnë vrasësit, duke kërcënuar se do të vepronte vetë nëse nuk merr përgjigje. Ai gjithashtu mohoi që djali i tij të ketë pasur ndonjë problem që mund të ketë çuar në vrasje.

Policia ka nisur hetime për mundësinë e konflikteve të mundshme në zonë, përfshirë ato që mund të lidhen me ngacmime në rrjete sociale. Megjithatë, hetuesit janë përpjekur gjithashtu të rishikojnë kamerat e sigurisë dhe çdo informacion të mundshëm nga fshatrat përreth, për të gjetur pista që mund të çojnë në autorët e krimit. I gjithë grupi hetimor është angazhuar për të zbardhur rrethanat e vrasjes së rëndë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *