Që nga vdekja e tij në kohën kur ishte burgosur nga britanikët në ishullin e Shën Helenës në vitin 1821, pretendimet se Napoleon Bonaparti u vra ose arriti të arratisej nga ishulli, nuk janë zhdukur plotësisht. Ja cilat janë hipotezat kryesore mbi vdekjen e ish-perandorit francez
“Vdekja ime është e parakohshme. Po vritem nga oligopoli anglez, dhe vrasësit e punësuar prej tyre”. Ishin këto fjalët e hidhura të Napoleon Bonapartit, kur ai diktoi testamentin e tij të fundit në prillin e vitit 1821. Një nga manipulatorët më të suksesshëm në histori, Napoleoni ishte një njeri që mori me vete në varr hakmarrjet e tij.
Një ditë pas vdekjes së tij në kohën që ndodhej i burgosur nga britanikët më 5 maj 1821, 16 persona morën pjesë në autopsinë që iu bë trupit të Napoleonit, mes të cilëve 7 mjekë. Ata arritën njëzëri në përfundimin e tyre:ish-perandori kishte vdekur nga kanceri në stomak.
Megjithatë, dyshimet nuk u zhdukën kurrë:A e përshpejtoi qeveria britanike vdekjen e tij? A i hodhën helm në gotën e verës rivalët e tij në Francë? A ishte vërtet Napoleoni ai që vdiq në Longud Hauz në majin e vitit 1821? Për gati dy shekuj, të gjitha këto pyetje dhe shumë të tjera janë diskutuar, debatuar, dhe ricikluar vazhdimisht.
I lindur në një familje korsikane modeste në vitin 1769, në vitin 1811 Napoleon Bonaparti sundonte mbi 70 milionë njerëz dhe dominonte Evropën. Katër vjet më vonë, ëndrrat e tij dinastike, politike, perandorake dhe ushtarake u bënë pluhur e hi, dhe ai u internua në ishullin e largët të Shën Helenës, në Atlantikun e Jugut, nën vrojtimin e britanikëve.
Atje deri në vdekjen e tij, ai dhe familja e tij jetuan në një vilë të quajtur Longud Hauz. Por vdekja e ish-perandorit francez nuk ndodhi krejt papritur. Për muaj të tërë, Napoleoni kishte vuajtur nga dhimbje të forta barku, të vjella, djersitje të shumta gjatë natës dhe ethe.
Kur nuk vuante nga kapsllëku, prekej nga diarreja. Ra shumë në peshë. Napoleoni ankohej gjithashtu për dhimbje koke, dobësi trupore. Nisi të fliste me shumë vështirësi. Mishrat e dhëmbëve, buzët dhe thonjtë e humbën ngjyrën e tyre natyrale.
Me pak fjalë, ai ishte i bindur se po helmohej. Por më vonë, nisi të mendonte se vuante nga i njëjti kancer që i kishte marrë jetën edhe babait të tij. Prandaj e gjithë ndihma mjekësore ishte e padobishme. Më 4 maj 1821, ai e humbi vetëdijen. Më 5 maj, u përhap lajmi se udhëheqësi i madh kishte vdekur.
Që nga ai moment lindën edhe shumë pikëpyetje dhe teori. Teoria e parë e komplotit, u artikulua nga irlandezi Berri O’Miara, që kishte qenë kirurg i anijes “HMS Bellerophon”, kur Napoleoni iu dorëzua kapitenit të saj pas Betejës së Vaterlosë. O’Miara u bë më pas mjeku personal i Napoleonit.
Mjeku irlandez i shërbeu ish-perandorit për 3 vjet, kur lëshoi akuzën bombë se guvernatori britanik i Shën Helenës, Sër Hadson Loiu, e kishte porositur atë të që “t’i shkurtonte jetën Napoleonit”. Siç mund të pritej, pas këtyre akuzave O’Miara u pushua nga puna.
Sër Hadson u etiketua si një britanik i poshtër. Ky është versioni që ka mbetur në histori, dhe jo rastësisht edhe versioni që Napoleoni dëshironte të besonte bota. Ish-perandori francez, kishte një plan dinak për t’u arratisur nga Shën Helena, me pretendimin se klima jo e shëndetshme e ishullit po e dëmtonte shumë.
Dhe për këtë qëllim ai shfrytëzoi dr.O’Miara. Ky i fundit, mbështeti pretendimet e pacientit të tij të famshëm, dhe në vitin 1818, e akuzoi guvernatorin Lui se po përpiqej të përshpejtonte vdekjen e Napoleonit. Ndërkohë në vitin 1822, ai publikoi një libër ku pretendonte se qeveria britanike ishte e vendosur të eleminonte çdo lloj mundësie për një rikthim të Napoleonit në Francë.
Shumë njerëz dyshuan se O’Miara kishte të drejtë, por askush nuk mund të provonte akuzën tij.
Në atë kohë nuk ekzistonte ende asnjë metodë, për të vërtetuar praninë e arsenikut në një kufomë. Nëse Napoleoni ishte vrarë, u duk sikur vrasësi ishte zhdukur bashkë me të. Derikur doli në skenë teoria e një dentisti suedez rreth 100 vjet më vonë, mbi skenarin e helmimit të tij. Kur u botuan letrat private të Napoleonit në vitet 1950, që përshkruanin detajet më intime të ditëve të fundit të perandorit, dr.Sten Forshufvud besonte se ai kishte gjetur një provë të dyshimtë.
Nga 31 simptoma të helmimit nga arseniku të zbuluara nga shkencëtarët që nga viti 1821, Napoleoni kishte shfaqur 28 prej tyre. Prandaj Forshufvud, i kërkoi një universiteti skocez të bënte një provë që detektonte gjurmët e arsenikut.
Analiza e aktivizimit të neutroneve (NAA), që u krye mbi fijet e flokut të Napoleonit përcaktoi datat 1816, 1817 dhe 1818, dhe zbuloi nivele të larta të arsenikut në trupin e tij. O’Miara, dukej se kishte të drejtë:
Napoleoni ishte vrarë, po nga kush?
Milioneri kanadez Ben Uajder, arriti në të njëjtin përfundim më vonë, me anë të një metode tjetër. I bindur se Napoleoni ishte vrarë, Uajder shfrytëzoi kujtimet e shumta të shkruara nga anëtarët e familjes Bonapart në Longud. Libri i tij i përbashkët me dr.Forshufvud me titull “Vrasje në Shën Helenë”, hedh akuza mbi një të dyshuar të ri për krimin:mikun e vjetër të Napoleonit, Sharl Tristan, markezin e Montolonit, një personazh me shumë dritëhije, gruaja e të cilit ishte joshur nga Napoleoni.
Tristan ishte i dëshpëruar për t’u larguar nga ishulli, por qëndroi për të fituar personalisht nga testamenti. Mbretërit e restauruar të dinastisë së Burbonëve (të cilët ishin po aq të interesuar sa britanikët për eleminimin e Napoleonit), kërcënuan se do të bënin publike përvetësimin e fondeve ushtarake nga ana e Montolon, nëse ai nuk do të binte dakord të helmonte pijen e Napoleonin me arsenik.
Por kjo teori nuk i bind të gjithë. Edhe nëse arseniku e vrau Napoleonin, kjo nuk do të thoshte se dikush e kishte vrarë ish-perandorin me arsenik. Në vitet 1980, debati mbi helmimin ndryshoi kurs, duke menduar se Napoleoni thjesht mund të kishte përthithur mjaftueshëm arsenik nga ambienti i tij, që në fund e vrau.
Një shtëpi tipike e shekullit XIX-të ishte e tejmbushur me arsenik:kozmetika, toniku për flokët, cigaret, dylli i vulave, enët e gatimit, preparatet kundër insekteve, helmi ndaj minjve, kremi i ngrirë i ëmbëlsirave, ishin që të gjitha ishin toksike.
Kur një kimist i Universitetit të Njukasëllit ekzaminoi një copëz letër nga muri i vilës në Longud, të vjedhur nga një turist i shekullit XIX-të, ai zbuloi gazra helmuese të mbetura në mykun që rritet pas tij, dhe që mund të kenë kontribuar në vdekjen e Napoleonit.
Më vonë, studiuesit testuan fije floku nga djali i Napoleonit; gruaja e tij e parë, perandoresha Jozefinë; dhe 10 persona të gjallë, dhe arritën në përfundimin se evropianët në fillim të shekullit XIX, kishin deri në 100 herë më shumë arsenik në trupat e tyre, sesa ka sot mesatarisht një njeri. FBI, Scotland Yard, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Strasburg, dhe laboratorët e policisë së Parisit kryen secili teste të veçanta, dhe që të gjitha konfirmuan nivele të larta të arsenikut në trupin e Napoleonit.
Por askush nuk mundi t’i përgjigjej përfundimisht pyetjes, se si kishte arritur helmi atje. Ndërkohë, në sfond u shfaq një debat i dytë:zëvendësimi i tij. Ideja e perandorit zëvendësues është përdorur në filma dhe romane, dhe sigurisht admiruesit më të zjarrtë të Napoleonit ishin (dhe janë) të sigurtë se ai jetoi shumë më gjatë. Dhe se njeriu që vdiq më 5 maj 1821, ishte dikush tjetër.
Versioni më befasues i teorive të zëvendësimit, pohon se Napoleoni nuk shkoi kurrë në Shën Helenë. Një sozi u dërgua në vendin e tij, ndërsa ish-perandori shkoi të jetojë në në Verona të Italisë, deri kur u qëllua për vdekje në përpjekje për të ngjitur muret e një pallati austriak, për të parë djalin e tij të vogël.
Mjerisht, kjo histori nuk ka asnjë lloj baze dokumentare. Teoria e dytë e zëvendësimit, sillet rreth Zhan Baptist Çiprianit, mazhordoimit të vilës në Longud deri në vdekjen e tij në shkurt 1818 gjatë një epidemie të hepatitit, dhe varrosjes së tij aty pranë.
Mbështetësit e kësaj teorie, pohojnë se britanikët e zhvarrosën fshehurazi trupin e Napoleonit në fund të viteve 1820, për arsye të pashpjeguara prej tyre. Kur u përballën me kërkesën zyrtare të Francës në vitin 1840 për të zhvarrosur Napoleonin, dhe rikthyer eshtrat e tij në Paris, britanikët nxorën nxorrën me shpejtësi eshtrat e Çiprianinit nga varri i tij, dhe i hodhën ato në varrin e zbrazët të Napoleonit.
Në vitin 1969, në 200-vjetorin e lindjes së Napoleonit, një gazetar francez botoi madje një thirrje të bujshme ndaj britanikëve: Anglais, rendez-nous Napoleon! (Anglezë, na ktheni Napoleonin!).
Pohimi i tij befasues, ishte që familja mbretërore britanike e kishte rivarossur Napoleonin në Uestminster Abej, çka përbënte poshtërimin e fundit për ish-perandorin.
E vërteta më prozaike, është se trupi i Napoleonit prehet (thuajse me siguri) nën kupolën e Les Invalides në Paris. Gjithsesi, derikur autoritetet franceze të lejojnë rihapjen e arkivolit dhe kryejen e testimeve përkatëse, teoritë konspirative do të vazhdojnë të trazojnë ujërat. / HistoryExtra – Bota.al