Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i pyetur për Shqipërinë dhe çështjen Beleri është përgjigjur se dëshira e tij është që Fredi Beleri të shkojë të bëjë betimin në Strasburg më 16 korrik dhe padyshim të marrë pjesë në votimin për Presidentin e ardhshëm të Komisionit Evropian, sepse çdo votë ka rëndësi.
‘Ne jemi në pritje të një vendimi përfundimtar të gjykatës” ka thënë Mistoatkis duke shtuar se në çdo rast, Beleri do të jetë i lirë në shtator. Ndërkohë kreu i qeverisë greke ka folur me një gjuhë të ashpër për udhëheqjen e Maqedoniës së Veriut.
“Ne nuk mund të vazhdojmë kështu” -ka thënë Mitsotakis . “Kryeministri i Maqedonisë së Veriut që nga momenti kur merr detyrën do të gjendet në një pozitë shumë të pakëndshme nëse këmbëngul në këtë retorikë, kur takohemi në NATO, në kuadër të Samitit për 75 vjetorin e Aleancës”.
“Shkupi iu bashkua NATO-s pikërisht përmes një marrëveshjeje, me problemet e saj, e cila megjithatë siguroi një emër mbi të gjitha. Dhe nëse kjo vihet në pikëpyetje, atëherë Maqedonia e Veriut duhet ta dijë se do të ketë probleme të mëdha, jo vetëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Greqinë, por edhe në marrëdhëniet e saj brenda NATO-s dhe me Bashkimin Evropian, nga i cili pret në një moment të bëhet anëtar”- ka paralajmëruar Mitsotakis.