Ministria e Drejtësisë vijon të mbajë peng letërporosinë e ardhur nga Spanjë për rastin e shqiptarit Saimir Sula, 31-vjeçari që erdhi pa zemër në Shqipëri. Gazetarja Klodiana Lala tha për BalkanWeb se Ministria e Drejtësisë në letërkëmbimin me Prokurorinë ngre pretendim se nuk gjen dot përkthyes.
Kjo vonesë po zvarrit hetimet në një kohë që spitali i është përgjigjur familjes Sula që është gjetur zemra. Nga ana tjeter, familja e Saimir Sulës kërkon që MD të marrë përmes letërporosisë organin e zemrës dhe ti bëhet ADN-ja.
Ngjarja ka ndodhur më 8 maj 2020, në kohën kur bota po pushtohej nga pandemia e Covid-19. Saimir Sula hyri në spitalin del Mar në Barcelonë, i shoqëruar nga motra e tij Majlinda. Ai kishte temperaturë dhe shkoi të bënte një test covid, i cili doli negativ. Por, 18 orë më vonë, ekipi mjekësor në spital thirri Majlindën për t’i thënë se vëllai i saj kishte vdekur. Mjekët kanë tentuar ta djegin trupin në kohë rekord dhe Majlinda nuk pranoi sepse pa mavijosje në trupin e vëllait të saj. Ajo kërkoi që kufoma do të transferohej në Shqipëri, ku bëri një autopsi të dytë dhe raporti e siguroi se trupi kishte mbërritur pa zemër në vendlindje.