Françeska Bonifazi, drejtoreshë e programit të terapive të avancuara qelizore në “Irccs Policlinico di Sant’Orsola” në Bologna, e ndoqi nga afër Sinisa Mihajlovic, ish-futbollist dhe trajner i shquar në Serie A, ndërsa sot vajton vdekjen e tij:
“Për mua ishte një pacient perfekt, me një personalitet të madh dhe në të njëjtën kohë me aftësi për t’i besuar plotësisht vetes. Ai kishte një sëmundje shumë të keqe, një nga më agresivet që kam parë ndonjëherë.
Mësimi i tij i madh për të gjithë është guximi për të ecur përpara. Guximi për të mos pasur frikë të përballesh me diçka që nuk e di, të dish t’i besosh vetes, të luftosh pa pasur frikë dhimbjen. Ai vuajti shumë, por luftoi me shumë dinjitet”.
Dr.Bonifazi që nga viti 2019 është përkrah Sinisha Mihajlovic. “Për të jetuar, – thotë ajo me emocion, – do të ishte përballur me çdo dhimbje. Ai nuk donte ta linte familjen, të cilën e donte mbi të gjitha. Futbolli ishte bota e tij, sigurisht, por familja ishte oksigjeni i tij”.
Nga fjalët e mjekes perceptojmë atë që ajo vetë nënvizon: “Për mua sot nuk vdiq vetëm një pacient, por edhe një mik. Dhe pavarësisht gjithçkaje, unë them gjithmonë se sëmundja më e keqe është ajo që e përballon vetëm.
Sëmundja e tij ishte e keqe, rezistente ndaj të gjitha terapive, ndaj transplanteve, por Sinisha kishte një sërë marrëdhëniesh dashurie rreth vetes, falë të cilave nuk u ndje kurrë vetëm. Në spital ishte i pëlqyer nga të gjithë, që nga mjekët tek infermieret dhe stafi teknik. Të gjithë e donin shumë”.
Futbolli në zi, lamtumirë Sinisha Mihajlovic: Vdekje e padrejtë dhe e parakohshme…