Janice Dickinson, një nga dhjetëra gratë që ka akuzuar Bill Cosby për abuzim seksual dhe ka dëshmuar kundër tij në gjykatë, është shprehur e revoltuar pasi u vendos që ai të lirohet nga burgu.
‘Fillimisht u ndjeva shumë e nevrikosur. Shumë e nevrikosur. Së dyti, mu duk sikur më gjuajtën në stomak, në abdomen nga disa goditje psikike. Jam e nevrikosur që e liruan gjatë një procedure. Kjo është e gjitha çfarë dua të them. Nuk mund të flas me gjuhë ligjore. Mund të flas vetëm nga zemra ime dhe mund të them se kjo nuk është e drejtë. Nuk është e drejtë.
Bill Cosby më ka përdhunuar dhe kjo ngjarje më ndryshoi jetën përgjithmonë. Për këtë arsye zemra ime shkon për të gjitha gratë që nisën lëvizjen MeToo, pasi unë dola dhe fola e para. Thjesht mendoj se njerëzit janë injorant”, është shprehur ish-modelja për “Entertainment Tonight’.
Dickinson rrëfeu në vitin 2014-të se ajo u drogua dhe u përdhunuar nga Cosby më shumë se 30 vite më parë. Cosby i mohoi të gjitha akuzat asokohe.
Kujtojmë se ditën e djeshme gjykata më e lartë e Pensilvanisë rrëzoi dënimin për aktorin Bill Cosby, pasi një marrëveshje që ai ka bërë më herët me një prokuror duhej ta kishte përjashtuar atë nga dënimi për këtë çështje.
Vendimi i gjykatës thotë se Cosby duhet të lirohet nga burgu dhe nga çdo ndjekje penale në të ardhmen. Cosby u shpall fajtor në vitin 2018-të për 3 akuza për abuzim seksual. Aktori u dënua nga tre deri në 10 vjet burg dhe kishte kryer më shumë se dy vjet të këtij dënimi.
/Priza.al/