“Moment i vështirë për familjarët dhe policinë”, Ardi Veliu mesazh lamtumire për nënkomisarin Saimir Hoxha

Gjatë ceremonisë së lamtumirës të nënkomisarit Saimir Hoxha, kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, dha mesazhin e tij.

Veliu tha se vrasja e nënkomisariat është një dhimbje e madhe jo vetëm për familjarët, por edhe për të gjithë policinë, por sipas tij, është edhe një burim force për të vijuar luftën ndaj krimit. Kujtojmë se Hoxha u vra ditën e djeshme në krye të detyrës nga 21-vjeçari Aldi Rama.

“Këtë pikëllim e kanë shprehur edhe në qindra mesazhe e komente nga dje e sot të dërguara në adresën e Policisë së Shtetit. Të nderuar familjarë të nënkomisar Saimir Hoxhës, ju nuk do të jeni vetëm asnjëherë, jeni pjesë e familjes së madhe, që është Policia e Shtetit, dhe do ju gjendemi përherë pranë. Ky moment i ndarjes nga Saimiri është shumë i vështirë jo vetëm për familjen, por për gjithë policinë, por edhe burim force për të vijuar luftën kundër krimit. Përulemi para trupit të heroit, duke premtuar se nuk na step asnjë moment frike. Është kambanë alarmi për ta ndalur përbaltjen e policisë duke i shërbyer frymëzimit të krimit që merr guximin e ngre dorën ndaj punonjësit të Policisë shtetit. Kolegu im dha jetën në përpjekje për të bërë detyrën më së miri, u vra nga një i ri i arrestuar më parë nga polici, por drejtësia e liroi edhe pse ishte dënuar me disa vite burg. Saimiri dhe Policia sot janë vrarë dy herë nga krimi dhe drejtësia e vjetër që shpesh herë vendimet e saj i kanë paguar me jetë punonjësit e policisë së shtetit. Punonjësit e Policisë përballen çdo ditë me krimin, dalin në mëngjes nga shtëpia duke u përshëndetur me familjarët sikur të ishte hera e fundit, sepse e tillë është puna jonë, ndaj është e rëndësishme mbështetja nga qytetarët. Çdo vështirësi vetëm na qartëson rrugën, ku të ecim për një shoqëri më të sigurt e më të mirë. U prehsh në paqe miku ynë, të paharruara do të jenë përjetë kujtimi dhe vepra jote”, tha Ardi Veliu.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *