Policia e Tiranës ka shpallur sot në kërkim Daniel Dushkun, i cili në bashkëpunim me disa persona të tjerë rrëmbyen dje reperin Kozak Braci.
Daniel Dushku është vëllai i Fabio Dushkut dhe ka dyshime se ka qenë pikërisht ky i fundit që ka porositur këtë rrëmbim me armë në Tiranë pas ofendimeve dhe sharjeve që kishin patur në rrjetet sociale. Daniel Dushku kishte mbërritur nga Greqia në Tiranë, për të marrë peng Braçin pas këtyre sharjeve.
Por kush është Fabio Dushku i cili vuan tre dënime me burg të përjetshëm në Koridhalos, Greqi?
Fabio Dushku, 35 vjeç, është me origjinë nga Mirdita. Prej 11 vitesh është i arrestuar dhe vuan dënimin në burgun e Koridhalos, Greqi. Ai është i dënuar me burgim të përjetshëm për vepra të ndryshme penale, disa prej të cilave i pranon e të tjerat jo. Fabio Dushku është arrestuar në vitin 2010 dhe akuzohet për disa vrasje dhe plagosje të ndodhura në periudhën 2007-2008. Ai nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat për të cilat është dënuar me burgim të përjetshëm.
Në lidhje me këto ngjarje ai ka rrëfyer se është arrestuar pa fakte dhe pa asnjë lloj prove, pa u gjetur asnjë armë krimi dhe pa ADN. “Unë për çdo akuzë për veprat penale që kam kryer i kam pranuar vet ashtu siç ka ndodhur dhe pa u trembur”, ka rrëfyer Dushku. Ai akuzohet edhe si pjesëmarrës i disa organizatave terroriste në Greqi, “17 Nëntori” dhe “Grupi i Zjarrit”, diçka të cilën e ka pranuar.
/Priza.al/