Policia kufitare e Morinës ka proceduar penalisht një shtetas 45-vjeçar nga Kosova, për shkak të mosdeklarimit të 59 mijë eurove që dispononte. Pasi makina tip “Benz” me të cilën po udhëtonte është ndaluar për verifikim, shtetasit i është gjetur kjo shumë, në çantën e dorës. Ai akuzohet për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Njoftimi i policisë
Vijojnë kontrollet intensive nga Policia Kufitare, për goditjen e veprimtarive kriminale. Goditet një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen 59 100 euro, procedohet penalisht 45-vjeçari që nuk i deklaroi në PKK Morinë.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në kufi, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. H.
Gjatë kontrollit të ushtruar, në çantën e dorës së shtetasit S. H., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 59 100 euro, të padeklaruara nga 45-vjeçari, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. H., 45 vjeç, banues në Istog, Kosovë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.