Shpesh herë neglizhojmë shenjat që na dërgon organizmi kur ka nevojë për ndihmë. Mund të jetë një nishan që zmadhohet vazhdimisht, një dëmtim i lehtë në dukje, por që shkakton dhimbje të forta më pas, ose një njollë në thua që mund të jetë as më pak e as më shumë se kancer.
E tillë është historia e infermieres britanike, Alana Severs, që për tre vite me radhë e kishte injoruar vijën e zezë vertikale në thoin e saj, derisa një ditë zbuloi që kishte një formë agresive të melanomës, një lloj kanceri i lëkurës.
Gjithçka nisi në vitin 2018, kur Alana-s iu shfaq për herë të parë hija e zezë në thua. Asokohe nuk i kushtoi rëndësi duke menduar se kishte thjesht mungesë kalciumi ose thjesht mpiksje gjaku, dhe për shumë kohë e mbulonte me manikyr të kuq ose ngjyra të errëta. Mirëpo një vit më parë, teksa lexonte një artikull në “Cosmopolitan” rreth kancerit të lëkurës dhe shenjave të tij, vendosi të bënte një biopsi, ndonëse nuk kishte dhimbje apo shqetësime të çfarëdolloj natyre.36-vjeçarja kreu të gjitha analizat e posaçme në “Queen Alexandra Hospital” në Portsmouth, ku edhe zbuloi që dyshimet e saj ishin të vërteta, ajo kishte melanomë. Mjekët ndërhynë menjëherë duke i hequr plotësisht thoin, duke eliminuar në këtë mënyrë 8 mm qeliza kancerogjene.
/Priza.al/