Ilaçi i njohur si “OKI” ose siç njihet ndryshe Ketoprofeni, po përdoret në përmasa shumë të mëdha në të gjitha farmacitë tona dhe farmacistët të nxitur edhe norma e lartë e fitimit q u lënë atyre grosistët e ilaçeve, ua rekomandojnë të parin, sapo ju shkoni përpara një banaku farmacie dhe kërkoni një medikament për dhimbje koke ose ndonjë dhimbje tjetër.
Ketoprofeni përdoret për të lehtësuar dhimbjet e ndryshme, por ndërkohë ai shkakton shumë “gropa” në organizmin tuaj si pasojë e efekteve posteriore.
Ai zvogëlon dhimbjen, ënjtjen dhe ngurtësinë e nyjeve nga artriti. Ky është një ilaç anti-inflamator josteroidal, por në shumë vende të botës ai është hequr plotësisht nga qarkullimi.
Ky medikament funksionon duke bllokuar prodhimin e disa substancave natyrale në trup që shkaktojnë inflamacion. Ky efekt ndihmon në uljen e ënjtjes, dhimbjeve të ndryshme dhe etheve, por vetëm sa i mpin nervat trupore për një farë kohe dhe nga ana tjetër dëmton shumë organe duke nisur që nga stomaku, mëlçia, pankreasi etj.
Para një viti ashtu siç ndodhi edhe me “Aulinën”, Shqipëria vendosi të ndalonte shitjen e këtij ilaçi pa recetën e mjekut mbi 40 miligram. Sidoqoftë, kjo masë që ndalon përdorimin pa lejen e mjekut nuk ekziston realisht dhe “OKI-n” e gjen thuajse në çdo farmaci po ta kërkosh.
Ky ilaç mund të irritojë stomakun dhe rekomandohet ose preferohet që të merret bashkë me ushqim ose edhe qumësht. Mjekët thonë se gjatë përdorimit të tij duhet evituar edhe përdorimin e alkoolit, pasi përdorimi kronik i tij mund të rris rrezikun e dëmtimit të mëlçisë ose hemorragjisë së stomakut.
Efektet anësore potenciale janë të frikshme
- Ato përfshijnë sulmin në zemër, për njerëzit që kanë probleme me zemër.
- Goditjen në tru.
- Hipertensionin arterial HTA.
- Probleme të veshkave deri në insuficencë renale.
- Hemorragji dhe ulçerë në stomak.
- Anemi.
- Reaksione në lëkurë.
Efektet e tjera anësore
Dobësim i shikimit, irritim të lëkurës, depresion, inflamacion të fshikëzës, ndryshime në disponim, zhurma në vesh, ulje apetiti, vështirësi për të fjetur, marramendje, djersitje e tepërt, energji e dobët, vjellje, ulçerë stomaku, anemi, lodhje të gjoksit, konfuzion, dëmtim i mëlçisë, sy të tharë, dhimbje syri, dëmtim të kujtesës, dhimbje muskujsh, gjakderdhje nga hundët, vështirësi për të marrë frymë, gojë e thatë, rrahje të shpejta të zemrës dhe humbje peshe.
Çfarë duhet të dini për ilaçin Oki
Oki është një barnë që rekomandohet për mbajtjen nën kontroll të artritit reumatoid, osteoartritit, dhimbjes së mesit e të shpinës, dhimbjeve të tjera dhe inflamacionit. Oki përshkruhet si një ilaç që lehtëson dhimbjet por nuk kuron problemin në gjenezë.
Doza e rekomanduar ditore është 100-200 mg një herë në ditë në varësi të peshës dhe ashpërsisë së simptomave. Oki bllokon prodhimin e disa substancave natyrale në organizëm që shkaktojnë inflamacion.
Ilaçe me përmbajtje ketoprofeni siç është Oki nuk duhen përdorur nga njerëzit që vuajnë nga astma, gratë shtatzënë ose nënat lehonë, fëmijët nën moshën 15 vjeç, njerëzit që vuajnë nga zemra, pacientët që vuajnë nga ulçera dhe veshkat.
/Priza.al/