Autoritetet në rajonin Bryansk të Rusisë, që gjendet në kufi me Ukrainën, e kanë akuzuar Kievin për granatimin e qytetit rus, Klimovo. Rusia pretendoi se nga këto granatime ka pasur viktima.
Guvernatori i rajonit Bryansk, Aleksandr Bogomaz, tha më 14 prill se dy ndërtesa janë dëmtuar nga sulmi, që sipas tij, u krye nga forcat e armatosura të Ukrainës.
Personeli shëndetësor në Klimovo, i kanë thënë agjencisë ruse të lajmeve TASS, se shtatë persona, përfshirë edhe një grua shtatzënë dhe një fëmijë, janë plagosur.
Komiteti Hetues i Rusisë tha se sulmi është kryer nga dy helikopterë ushtarakë ukrainas, duke shtuar se kanë nisur një hetim për këtë rast.
Një video që pretendohet se është incizuar në Klimovo pas sulmit, është shpërndarë në internet dhe në të shihet një shtëpi duke u djegur. Nuk është e qartë se ku dhe kur është bërë kjo video.
Klimovo gjendet rreth 10 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Autoritetet në rajonin tjetër rus, Belgorod, thanë më 14 prill se forcat ukrainase kanë granatuar fshatin rus Spodorashino. Nuk është raportuar për viktima.
Po ashtu më 14 prill, Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) tha se forcat e armatosura ukrainase kanë hapur zjarr në pikëkalimin kufitar të Novyye Yurovichi, që gjendet në rajonin Bryansk. Por, ky shërbim nuk raportoi për viktima nga kjo ngjarje.
Pala ukrainase nuk ka komentuar këto pretendime të Rusisë.
Një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë akuzoi Ukrainën për granatimin e territoreve ruse, duke paralajmëruar se nëse sulmet vazhdojnë, Moska do të godasë “qendrat e vendimmarrjes” ukrainase, përfshirë edhe kryeqytetin, Kiev.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Pas javësh të përballjes me rezistencën e forcave të armatosura ukrainase, Rusia tërhoqi trupat e saj nga pjesa veriore ukrainase, që gjenden në kufi me rajonin Bryansk dhe rajone të tjera ruse./REL